Nga Ministria thonë se çështja e sigurimit në shkolla është kompetencë e komunës

Nga Ministria thonë se çështja e sigurimit në shkolla është kompetencë e komunës

Në Gjimnazin “Ulpiana” në Lipjan nxënësit me paratë që i marrin nga prindërit e tyre e paguajnë sigurimin fizik nga 3 euro në vjet, në mënyrë që të ketë siguri më të lartë në ambientin shkollor.

Përderisa kjo marrëveshje është arritur mes shkollës dhe prindërve, ka nga ata që shprehin pakënaqësi për obligimin që u është shtuar për të kryer pagesa të tilla.

Nxënësi i kësaj shkolle H.K që është në klasën e 10-të, ka treguar që sigurimin e paguajnë në fillim të vitit shkollor. Ai tha se nuk e sheh të arsyeshme pagesën pasi që nuk punojnë vetë dhe se i obligojnë prindërit për një gjë të tillë.

“Ne si nxënës e kemi sigurimin dhe paguajmë nga 3 euro në vit dhe mendoj që nuk është e arsyeshme me pagu ne sigurimin, po shteti”, tha ai.

Ai gjithashtu ka treguar se në shkollë ka përleshje të shpeshta, por prapë sigurimin nuk e sheh si mjet për t’i ndaluar përleshjet.

Raportime kanë ardhur edhe në kallxo.com, se sigurimi fizik po paguhet nga vetë nxënësit.

Kallxo.com ka kontaktuar me drejtorin e gjimnazit, Semir Gashi, lidhur me vendimin që shkolla të ketë sigurim fizik.

Gashi tha se është viti i dytë në Gjimnazin “Ulpiana” që kanë vendosur roje fizike te dera e shkollës.

Sipas tij kjo është një praktikë që e kanë marrë nga shkollat e komunave tjera.

“Është një praktikë që e kanë shumë shkolla të tjera e kemi pa që është shumë e arsyeshme dhe ne kemi thirrur organet drejtuese të shkollës, këshillin e shkollës, këshillin e arsimtarëve, e kemi marrë këtë vendim përmes këtyre organeve”, tha drejtori Semir Gashi.

Ai tregoi se askush nga organet drejtuese të shkollës nuk ishte kundër kësaj mënyre të pagesës.

“Nuk ka qenë kundër askush dhe i kemi obliguar kujdestarët e klasave me thirrë mbledhje të prindërve, me i njoftuar prindërit për vendim dhe me pa a ka përkrahje a jo”, tregoi Gashi.

Drejtori deklaroi se as nga prindërit nuk u refuzua kjo mundësi për t’u ofruar siguri në shkollë fëmijëve të tyre.

“Në shumicën e mbledhjeve të prindërve kam marrë pjesë dhe në ato mbledhje ku unë kam marrë pjesë nuk kam hasur prind që e kanë refuzu këtë”, tha Gashi.

Gashi tha se punëtorin e sigurimit fizik e paguan shkolla nga kontributi i prindërve me nga 3 euro, ndërsa për këtë pagesë edhe stafi i shkollës duke përfshirë drejtorin i japin nga pesë euro në vit.

Rastet sociale janë të liruara nga pagesa për sigurim.

“Prej kur është bërë sigurimi i objektit nuk kemi pasur thyerje të shkollës”, tha Semir Gashi.

Kallxo.com ka kontaktuar edhe me drejtorin e Arsimit në Komunën e Lipjanit, Rasim Hasani.

Ai ka thënë se ky është vendim i këshillit drejtues të shkollës. Ndërsa nuk ka shprehur qëndrim tjetër.

“Sa i përket pyetjes është komplet vendim i këshillit drejtues të shkollës i cili ka ndjekur praktikat e njëjta në shkollat e kryeqytetit dhe komunave tjera”, tha ai.

Kurse, Ministria e Arsimit, në përgjigjet e dhëna ka thënë se çështja e sigurimit fizik të nxënësve në shkolla është kompetencë e komunës.

“Në bazë të nenit 7 paragrafit 3 nënparagrafët 3.3. dhe 3.4., të Ligjit për Arsimin Parauniversitar në Republikën e Kosovës, sigurimi i ambientit të sigurt për nxënësit dhe personelin, si dhe bashkëpunimi me prindër, polici dhe autoritetet tjera publike, marrja  e hapave për sjelljet e dhunshme, është kompetencë e komunës”, thuhet në përgjigje të Ministrisë së Arsimit.

Gjithashtu, sipas ministrisë, në bazë të nenit 22 të këtij ligji, komuna pas propozimit të këshillit drejtues të shkollës, miraton rregullat e parapara për të promovuar sjelljen e mirë dhe disiplinën e nxënësve dhe për eliminimin e dhunës.

Po ashtu, në bazë të nenit 8 paragrafit 8.2. të Ligjit për Arsimin në Komunat e Republikës së Kosovës, sipas ministrisë thuhet se është kompetencë e komunës krijimi i kushteve normale për procesin e arsimimit dhe trajnimit.