“Konventa mbi të drejtat e fëmijës”

“Konventa mbi të drejtat e fëmijës”

Në kuadër të 30-vjetorit të Konventës për të Drejtat e Fëmijës, Zyra e UNICEF-it ka organizuar një aktivitet me fëmijët në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë. Me këtë rast për fëmijët ishin përgatitur një varg aktivitetesh me personazhe vizatimore, ku ata patën mundësi të luajnë dhe të vallëzojnë.

Shefi i Zyrës së UNICEF në Kosovë, Murat Sahin, ka treguar për prioritetet e kësaj organizate për Kosovën në pesë vjetët e ardhshëm, të cilat kanë të bëjnë me edukimin në fëmijëri të hershme, fëmijët me aftësi të kufizuara dhe fuqizimin e të rinjve.

“UNICEF është duke punuar me Kosovën për më shumë se 20 vjet dhe për 5 vjetët e ardhshëm kemi tri prioritete. Prioriteti i parë: duke i dhënë secilit fëmijë mundësinë më të mirë që të fillojnë jetën, që është edukimi dhe zhvillimi në fëmijëri të hershme. Kjo fillon nga shtatzënia e deri te mosha 2-vjeçare. Në edukimin në fëmijëri të hershme bën pjesë kujdesi dhe çerdhja, sepse në Kosovë vetëm 20% e fëmijëve kanë qasje në çerdhe të kualifikuara. Ajo çfarë dëshirojmë të shohim është që çdo fëmijë të ketë mundësi të socializohet, të bëhet gati për shkollim dhe shkolla parafillore dhe çerdhja të ofrohen për çdo fëmijë. Prioriteti i dytë për UNICEF është për fëmijët me aftësi të kufizuara. Ne dëshirojmë që ata të kenë të drejta të barabarta dhe të jenë qytetarë aktivë. Prioriteti i tretë është fuqizimi i të rinjve. Kosova ka popullatën më të re në Evropë dhe ne dëshirojmë t ’i shohim këta të rinj duke u bërë kontribuues aktivë, adoleshentë të lumtur dhe duke iu dhënë mundësi të përmbushin potencialin e tyre”, tha Sahin.

Mësuesja e shkollës fillore “Faik Konica” në Prishtinë, Suzana Ibrahimi, tha se aktivitete të tilla duhet të zgjerohen edhe në vende rurale, pasi atje gjendja e fëmijëve është më e vështirë.

“Ky aktivitet është shumë i qëlluar për shkollën tonë dhe për të gjithë fëmijët e mbarë Prishtinës, sepse fëmijët duan t’i bashkohen të gjithë fëmijëve tjerë së bashku të shënojnë Ditën e Konventës ndërkombëtare të fëmijëve. Fëmijët janë shumë të lumtur dhe mendoj që në çdo anë të botës fëmijët duhet t’i kenë të drejtat e barabarta dhe jo vetëm në qytete të mëdha, por edhe në vise rurale, sepse atje është gjendja pak më e vështirësuar, fëmijët më pak trajtohen, më pak angazhohen për aktivitete të tilla. Ne në qendër të Prishtinës përherë marrim pjesë, por kisha preferuar që edhe viset rurale të angazhohen”, tha Ibrahimi.

Ndryshe “Konventa mbi të drejtat e fëmijës” i vendos fëmijët në rend të parë në agjendat e politikanëve dhe vendimmarrësve globalë, me qëllim të avancimit të të drejtave të tyre.

Aktivitetet me rastin e 30-vjetorit të Konventës ndërkombëtare për të drejtat e fëmijëve do të vazhdojnë edhe gjatë ditës së nesërme.