Buxheti i Komunës prishi koalicionin

Buxheti i Komunës prishi koalicionin

Asambleja komunale në Gjakovë sot kaloi buxhetin e Komunës për vitin e ardhshëm, mirëpo asamblistët e Partisë Demokratike të Kosovës që janë në koalicion me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, Nismën dhe PSHDK-në, votuan kundër. Për këtë arsye, kryetari i Komunës së Gjakovës, njëherit kryetar i degës së AAK-së në këtë komunë, Ardian Gjini, ka shkëputur koalicionin me PDK-në.

Ai iu ka kërkuar drejtorëve që vijnë nga kjo parti të dorëhiqen, ndërsa i ka falënderuar për bashkëpunimin e deritashëm.

“Sot kaloi buxheti i Komunës së Gjakovës për vitin 2020. Gjatë votimit, PDK ishte kundër, gjë të cilën edhe e paralajmëroi. Meqenëse në demokraci koalicionet krijohen për krijimin e shumicës parlamentare, një i tillë nuk ka kuptim nëse shumica dështon. Prandaj sot e kam kërkuar dorëheqjen e të emëruarve politik që vinë nga radhët e PDK. Unë publikisht i falënderoj për bashkëpunimin e deritanishëm”, tha Gjini.

Ndryshe, buxheti për vitin 2020 i Komunës së Gjakovës i cili u miratua është në shumë të përgjithshme prej 27 milionë e 252 mijë e 717 euro. Nga kjo shumë totale, 16 milionë e 53 mijë e 829 euro janë të dedikuara për paga dhe mëditje, 3 milionë e 4 mijë e 103 euro për mallra dhe shërbime, 586 mijë e 800 euro për shpenzime komunale 510 mijë e 500 për subvencione dhe transfere, si dhe 7 milionë e 97 mijë e 485 euro për shpenzime kapitale.