Prishtina dhuron shujta për 300 persona

Shujtat do të shërbehen derisa të stabilizohet gjendja në Kosovë

Pas shfaqjes së koronavirusit në vendin tonë dhe pas shpalljes së gjendjes emergjente në sektorin e shëndetit publik, janë shtuar kontrollet dhe masat mbrojtëse. Me këtë raste, Komuna e Prishtinës, nga dita e sotme rifilloi shpërndarjen e shujtave të ngrohta ushqimore, në dy pika “Tophane” dhe “Aktash” të Prishtinës. E aty u mblodhën një numër qytetarësh për t’u shërbyer me këto shujta, të cilat përmbanin, gjellë, sallatë, pemë dhe bukë.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti deklaroi se nga sot të gjithë qytetarët të cilët janë në gjendje të rënd sociale-ekonomike do të furnizohen me shujta të nxehta ushqimi. Sipas tij, shumë shpejt do të bëjnë një databazë me Ministrinë e Shëndetësisë, për t’u koordinuar se a do të vazhdojnë të shpërndajnë në këto pika apo do të kenë mundësi t’i dërgojnë këto shujta në shtëpi. Ahmeti u zotua se, në komunën e Prishtinës nuk do të lejojë asnjë qytetarë të bëhet viktimë e situatës së krijuar nga koronavirusi.

Drejtori i Mirëqenies Sociale, Dren Kukaj, deklaroi se për të gjithë ata persona që kanë nevojë për shujta ushqimore të ngrohta, mund të drejtohen në dy pika Tophane dhe Aktash. Kukaj theksoi se me këto shujta furnizohen rreth 300 persona mirëpo kapaciteti i shërbimeve është për 600 persona.

Këto shujta do të shërbehen derisa të stabilizohet gjendja në Kosovë.

Back to top button