Parkingu nëntokësor për 500 vetura, do të kushtojë 12 milionë euro

Parkingu nëntokësor për 500 vetura, do të kushtojë 12 milionë euro

​Komuna e Prishtinës ka prezantuar sot projektin që ndihmon në zgjidhjen e një prej problemeve kryesore brenda trafikut në Prishtinë – problemin e parkingjeve.

Bëhet fjalë për parkingun nëntokësor tek Fakulteti Filologjik, parking ky që pritet të ketë kapacitet për paku 500 automjete.

Kryetari i komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti tha se me këtë rast rruga prej Hoteit Grand deri te Katedralja do të mbyllet dhe do aty do të ketë një park të zgjeruar nga Fakulteti Filologjisë deri te Katedralja që do të quhet Parku Qendror.

Sipas tij ky është projekti i parë i partneriteti publiko-privat dhe sqaroi se komuna po hyn në një lloj konsecionimi.

Ai po ashtu ka sqaruar se procedura do të zhvillohet në dy faza. Sipas tij në dy javët e ardhshme do te zhvillohet procedura për parakualifikim (kapacitet financiar, përvoja, menaxhimi etj) dhe pastaj bizneset e parakualifikuara do të mund të ofertojnë për projekt.

“Kjo procedurë do ti ketë dy faza, faza e parë e parakulifikimit ku së shpejti ne do ti kërkojmë kompanitë me kushte të caktuara përveç përvojës dhe kapacitetit financiar që duhet ta ketë kompania apo konsorciumi ne do të bëjmë parakualifikimin e kompanive që pastaj do tu jepet mundësia e barabartë që ta japin ofertën më të mirë për komunën e Prishtinës”, tha Ahmeti.

Drejtori për Planifikim në komunën e prishtinës Genc Bashota duke prezantuar projektin tha se investitori që do ta bëjë ndërtimin, ka për obligim që hapësirën mbi parking ta shndërrojë në park publik me qasje për gjithë, dhe ajo hapësirë më pas lidhet me shëtitoren që planifikohet të zgjatet nga sheshi deri tek udhëkryqi pranë Katedrales.

“Në këtë projekt do të jetë financim, dizajnim dhe projektim dhe transfer. Çka do të thotë, partneri privat që përzgjidhet, e dizajnon, e financon e ndërton, operon me të do të thotë I merr edhe të hyrat mirëmbajtjen dhe menaxhimin dhe pas një periudhe të caktuar ia transferon institucion kontraktues këtë rast komunës së Prishtinës. Ligji i PPP-së është i tillë që në fund pas një periudhe të caktuar I tërë projekti I kalon komunës dhe në bazë të vlerësimit që ne kemi bërë I bie që pas 25 vitesh maksimalisht 40 vjet”, tha Bashota.

Ai tregoi se sipërfaqja e ndarë për këtë projekt është 13,990 metër katror, dhe me planin rregullues mund të shkohet në dy nivele nën tokë. Rreth 500 metra katror në këtë hapësirë, janë të ndara për pjesën komerciale, ashtu që të shfrytëzohet disniveli aktual që është brenda parcelës.

Vlera e parashikuar për ndërtimin e këtij parkingu përmes Partneritetit Publiko-Privat është 12 milionë euro.