Problemi bëhet më i madh kur ka reduktime të energjisë

Problemi bëhet më i madh kur ka reduktime të energjisë

Ditët e ftohta kanë alarmuar banorët që jetojnë në banesat e reja kolektive, për shkak të problemit me ngrohje. Në mungesë të kyçjes në rrjetin e ngrohjes së Termokos-it, ata detyrohen të gjejnë alternativa tjera për t’u ngrohur. Kjo pasi shumica e objekteve të reja banesore nuk janë të kyçura në rrjetin e Termokosit, duke u përjashtuar kështu nga mundësia e ngrohjes me avull.

E problemi bëhet më i madh kur ka reduktime të energjisë elektrike, pasi që shumica e banorëve të komplekseve të reja përdorin rrymën për ngrohje.

Reduktimet e fundit të KEDS-it, kanë shqetësuar Emin Halitin, banor i lagjes Mati 1. Fakti se radiatorët e kompleksit ku ai jeton nuk janë të kyçur në sistemin e ngrohjes me avull, e kanë shtyrë atë që të instalojë sistemin e ngrohjes me rrymë. Por ai thotë se as kjo nuk shërben si zgjidhje adekuate.

“Kur ndërprehet rryma kemi problem sidomos ata që kanë fëmijë të vegjël, është ftohtë dhe vështirë e kanë për ta përballuar… Kur ndërprehet rryma e presim deri sa të vjen. Nuk kemi nxemje alternative. Prandaj shpresojmë që së shpejti të na zgjidhet ky problem nga ana e komunës, që edhe ne të kyçemi në nxemjen qendrore të qytetit”, ka thënë ai.

Edhe banori i rrugës “B”, Haki Tahirukaj, shprehet i pakënaqur që kjo pjesë e qytetit nuk gëzon ngrohjen me avull.

“Për momentin nuk ka nxemje. Këtu nuk është shtrirë ende. Për momentin ende nuk është ftohë shumë. Gjatë dimrit mund të ketë ndërprerje të rrymës dhe me siguri do të kemi problem”, është shprehur Haliti.

Haliti për kp ka treguar se kanë marrë premtime disa herë se kjo çështje do të zgjidhet, derisa shpreh edhe shqetësimet e tij në rast se KEDS do të vazhdojë me reduktime të rrymës. Ndërkohë që thotë se paguajnë shumë shtrenjtë për energjinë e shpenzuar.

“Me qenë i lidhur me siguri edhe çmimi kish qenë më i arsyeshëm shumë, dhe ngrohja kish pas me qenë më e mirë, më cilësore. Njëherë kanë thanë këtë vit, nëse jo, vitin e ardhshëm”, ka shtuar ai.

Ndërsa zëdhënësja e Termokos-it, Afërdita Uka ka thënë se kërkesat për t’u furnizuar me ngrohjen me avull nga Termokos janë aq të larta, sa që kjo sipas saj është e pamundur për me kapacitetet që aktualisht kanë në dispozicion. Megjithatë, ajo shprehet e bindur se për banorët e kësaj zone, ky do të jetë dimri i fundit pa ngrohjen me avull, pasi që thotë se në pranverën e vitit që po vjen komplekset përgjatë rrugës kryesore do të kyçen në sistemin e ngrohjes termike të Termokosit. Por si duket për shkak të pamundësisë për t’i kyçur të gjithë, do të ketë kategorizime.

“Jemi duke pritur që Komisioni Evropian të na njoftojë me kompaninë e cila është përzgjedhur për kryerjen e punimeve në teren, të cilat pritet të fillojnë në pranverë të vitit të ardhshëm, do të thotë me përfundimin e sezonit ngrohës 2018-2019… Për ndërtime të reja, për ndërtesa kolektive të reja të lagjeve të Prishtinës, do të ketë zgjerim të rrjetit të ngrohjes për ndërtesat që shtrihen përskaj rrugës ‘B’, tek lagjja Kalabria dhe Banesat e Arabëve, por jo për gjithë pjesën e lagjes Kalabria ku janë këto ndërtime”, ka thënë ajo.

Por, probleme me ngrohje kanë edhe banesat e vjetra në Breg të Diellit, afër përmendores “Enver Maloku”. Ani pse e lidhur me Termokos, kjo pjesë e qytetit, nuk merr sasi të mjaftueshme të avullit për ngrohje.

Njëri nga banorët e kësaj zone, njëherit magjistër i teknikës, Nijazi Tafilaj shpjegon në detaje se ku qëndron problemi sipas tij. Ndërkaq, edhe ai, sikurse shumë familje të tjera, thotë se shfrytëzojnë energjinë elektrike për t’u ngrohur.

“Gypi nuk vjen prej spitalit direkt të Kodra e Diellit me sasi sa me na e ngrohë sistemin e ngrohjes të kësaj lagjeje. Janë normat teknike për me u nxehë banesat. Për me qenë shtypja 4 bar, duhet me qenë temperaturat 75 gradë celciuz. Qe shikoni stjudertat. Kurrë këto nuk arrihen. Kur nuk arrihen në ditën e sotit, kur temperaturat sillen rreth zeros, paramendoni qysh do të jenë kur temperaturat janë nën zero. Plus kësaj, këto ndërtesa janë prej betonit, me trashësi 20 cm. Këto i kanë të gjitha kushtet për me e ndje të ftohtit. Dhe, banorët që janë në katet prej përdhesave e lart, kanë gazep dimrit për nxemje… Shfrytëzojmë rrymën. Disa familje kanë shkuar edhe me nxemje me dru, po shumica janë me rrymë elektrike. Janë fatura të majme, duhet disi me vepru”, është shprehur ai.

Për problemet me ngrohje në këtë pjesë ka pohuar Uka. Ajo ka thënë se për shkak të ndaljes së papritur të energjisë elektrike, kanë pësuar një dëmtim të madh të rrjetit, gjë që siç thotë ajo ka çrregulluar në tërësi sistemin e ngrohjes për të gjithë konsumatorët. Ndërsa, ka theksuar se janë të përkushtuar që rikuperojnë sa më parë furnizimin me ngrohje.

“Jemi në përpjekje për të stabilizuar furnizimin me energji termike. Pjesa tjetër e konsumatorëve për një kohë të shkurtër është përmirësuar, por për “Bregun e Diellit” shkon pak në mënyrë më të ngadaltë për shkak edhe të konfiguracionit gjeografik ngase është edhe pika më e lartë në raport me ‘Termokosin’ dhe pika më e lartë të cilën e ngrohim ne”, ka bërë të ditur ajo.

E për shkak të ankesave të qytetarëve për reduktime të rrymës, kp ka kontaktuar edhe KEDS-in, për të marrë një përgjigje për atë që po ndodhë për problemet që po iu shkaktohen qytetarëve për ngrohje. Zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala është përgjigjur se energjia elektrike nuk është e destinuar të përdoret për ngrohje.