Prishtina mposht Penzën

Prishtina mposht Penzën

KB Prishtina ka arritur ta fitojë Kupën e Kosovës në basketboll për të dytën herë radhazi në konkurrencën e femrave, pasi në finale ishte më e mirë se Penza me rezultat 81:51.

Prishtina u pa qysh nga fillimi i ndeshjes që nuk do të ketë ndonjë problem për të mbrojtur kupën e fituar vitin e kaluar. Vashat nga Prishtina ishin më të mira në çdo aspekt të lojës, kështu që arritën ta mbyllin çerekun e parë me 22 pikë epërsi (27:5). Edhe në çerekun e dytë u zhvillua e njëjta histori ku basketbollistët e Prishtinës arritën të ruanin epërsinë.

Madje ato arritën që këtë epërsi ta rrisin në 27 pikë nga 22 sa ishte pas çerekut të dytë. Rezultati pas përfundimit të pjesës së parë ishte 46 me 19 në të mirë të Prishtinës. Ndërkohe në çerekun e tretë ishte lojë më e mirë nga lojtaret nga Peja, por prapë ishte Prishtina ajo e cila arriti ta ruajë epërsinë e krijuar në dy çerekët e parë (37:60).

Në çerekun e katërt vashat nga Peja dukeshin të dorëzuar dhe në këtë mënyrë ia lehtësuan edhe më shumë punën vashave të Shatrit, kësisoj Prishtina arriti ta mbrojë kupën e fituar vitin e kaluar në konkurrencën e femrave.

Rezultati final i ndeshjes ishte 81:51 në të mirë të Prishtinës, skuadër e cila është favorite ta fitojë edhe kampionatin e Kosovës.