Prishtina vërshohet nga bërlloku!

Prishtina vërshohet nga bërlloku!

Në kryeqytet, kontejnerët për mbeturina janë stërmbushur dhe kjo gjendje rrezikon të përkeqësohet nëse nuk zhbllokohen xhirollogaritë e kësaj kompanie.

Komuna e Prishtinës e ka quajtur të papranueshme dhe të rrezikshme për shëndetin publik të qytetarëve, situatën e krijuar në kompaninë e mbeturinave ‘Pastrimi’. Në një reagim për media ka bërë të ditur se nuk duhet lejuar që për shkak të problemeve dhe çështjeve të pazgjidhura brenda kompanive publike që ofrojnë shërbime, të pësojnë qytetarët e Prishtinës.

“Për më tepër, Kompania “Pastrimi” është kompani rajonale dhe pasojat barten edhe në komunat tjera. Situata me mbeturinat e krijuara është e papranueshme! Por, edhe paraqet rrezik serioz për shëndetin publik të të gjithë neve”, thuhet në reagim.

Në reagimin e tyre bëhet e ditur se komuna e Prishtinës është e gatshme t’i huazojë 4 mijë litra derivate për kompaninë “Pastrimi”, në mënyrë që të evitohet kjo gjendje alarmante. Në fund, ka ftuar të gjithë faktorët relevantë që urgjentisht të bëjnë zhbllokimin e kësaj situate të patolerueshme.

Kompania “Pastrimi” Sh.A Prishtinë ka njoftuar qytetarët se nga dita e djeshme kompania nuk do të ketë mundësi të bëjë grumbullimin dhe largimin e mbeturinave, për arsye të bllokimit të xhirollogarive bankare nga Kompania për Menaxhimin e Deponive të Kosovës. Ditë më parë nga kjo kompani kanë bërë të ditur se ndodhen para një kolapsi financiar për arsye te borxhit që kanë ndaj Kompanisë për Menaxhimin e Deponive të Kosovës.

Ndryshe, vetëm në Prishtinë, kompania “Pastrimi” largon mesatarisht 231 mijë kilogramë mbeturina brenda 24 orëve. /21Media