Prishtina pikëtakim për biznese ndërkombëtare

Hapet panairi i Agrobiznesit dhe Pijeve

Panairi Ndërkombëtar i Agrobiznesit dhe Pijeve, është hapur sot dhe po shihet si një mundësi e mirë për bizneset vendore që të promovojnë produktet e tyre, si dhe pikëtakim i bizneseve ndërkombëtare.

Bekim Xhafa, në emër të organizatorëve tha se organizimi i 17-të me radhë i këtij Panairi është dëshmia më e mirë e suksesit të këtij aktiviteti.

Sipas tij, këtë vit Panairi ka marrë edhe më shumë rëndësi meqenëse Holanda ka zgjedhur të shtrijë pavionin e saj për Ballkan pikërisht në Prishtinë, ndërsa theksoi se të gjitha bizneset pjesëmarrëse në këtë panair targetojnë tregun vendor dhe atë të regjionit, duke e bërë kryeqytetin si pikëtakim të panaireve internacionale.

“Unë këtë herë ndjehem shumë mirë që për herë të parë, pavioni i Qeverisë së Holandës ka zgjedhur Prishtinën që të shtrihet në Ballkan, dhe ka zgjedhur Agrokos-in për të targetuar jo vetëm tregun e Kosovës, por edhe tregun e regjionit. Kjo pra e konfirmonin që në evenimentet që i organizojmë ne, për çdo ditë e më shumë po bëhen pikë takimi të bizneseve në regjion”, tha ai.

Në emër të kryeministrit të Kosovës foli këshilltari i tij, Haki Shatri, i cili tha se Qeveria e Kosovës dhe institucionet e vendit janë të orientuara në përkrahjen e bizneseve dhe në shmangien e të gjitha pengesave që mund të dalin gjatë rrugës.

“Më lejoni t’iu them se Qeveria e Kosovës dhe institucionet e Kosovës, janë të përkushtuara në promovimin e konkurrencës së lirë, ekonomisë së tregut të hapur dhe përkrahjes së bizneseve vendore dhe atyre që vijnë nga vendet e regjionit dhe më larg, që të shmangin të gjitha pengesat eventuale dhe njëherit t’iu garantojmë dhe rekomandojmë se për çdo problem që iu del, kabineti i Kryeministrit është i hapur që t’iu pres, të shqyrtojë dhe të eliminojë ato pengesa”, tha ai.

Ambasadorja e Mbretërisë së Holandës në Kosovë, Gerrie Willems, u shpreh e lumtur që Holanda po merr pjesë për herë të parë me pavionin e saj në Panairin e Agrobiznesit.

Ajo theksoi se Holanda është partner dhe investitor kyç në sektorin bujqësor të Kosovës dhe të vendeve në rajon. Sipas saj, klima, burimet natyrore dhe tradita në bujqësi në Kosovë në njërën anë dhe njohuritë dhe ekspertiza holandeze në anën tjetër paraqesin një bazë të mirë për bashkëpunim dhe zhvillim të ndërsjellë.

Ndërkaq, ambasadorja e Holandës nuk la pa përmendur edhe MSA-në, implementimi i së cilës sipas saj, ndihmon edhe zhvillimin e tregtisë së lirë.

“Ajo çfarë është me rëndësi të madhe për kompanitë, para konsiderojnë ardhjen e tyre në Kosovë apo në ndonjë vend tjetër në rajon është se kjo (Kosova), shihet si një mjedis biznesi i qëndrueshëm dhe i parashikueshëm, që ka besim në investimet e tyre, në bizneset e tyre dhe se bizneset e tyre janë të sigurta këtu. Dhe këtu vjen qeveria dhe zbatimi i MSA-së me BE-në”, tha ajo.

Back to top button