Synimi, paraqitja sa më e mirë

Synimi, paraqitja sa më e mirë

Kampionia e Kosovës në basketboll te femrat, Prishtina këtë edicion do të garojë në FIBA EuroCup Women. Vashat prishtinase janë në një grup shumë të vështirë së bashku me dy skuadrat ruse, Sparta &K Moskow Region Vidnoje, MBA Moscow dhe Beshiktashin e Turqisë.

Kjo do të jetë hera e parë që një skuadër nga Kosova do të garojë në këtë garë mjaft të fortë evropiane.

Trajneri i Prishtinës, Fidan Shatri, ka folur për synimet në këtë garë.

Pas kompletimit të ekipit tash është koha për punë. Kemi edhe 40 ditë deri në fillim të FIBA EuroCup ku do të kemi përballje të vështira, sidomos me ekipet ruse. Ideja ka qenë që të paraqitemi në këtë garë, pasi që u bënë shumë vite që nuk kemi dal në arenën ndërkombëtare dhe mendoj që ka qenë vendim i duhur”, është shprehur Shatri për faqen zyrtare të FBK-së.

Klubi bardh e kaltër shpreson të fitojë përvojë në këtë garë.

“Normal që po kemi vështirësi rreth organizmit të klubit, pasi që ka koston e vet pjesëmarrja në këtë garë, por mendoj se, do të gjejmë mbështetje me kohë nga të gjithë që të paraqitemi sa më mirë, si në organizim, ashtu edhe në parket. Do të ju jepet hapësirë lojtareve vendore, pasi që është viti i parë i pjesëmarrjes në arenën ndërkombëtare. Nuk kemi menduar që të marrim me shumë se 2-3 lojtare të huaja, përpos në ato pozita ku kemi mungesë të lojtareve vendore. Synimet janë të paraqitemi sa më mirë, të fitojmë përvojën e duhur për vitet në vazhdim”, ka theksuar tutje Shatri.

Ndeshja e parë për vashat prishtinase do të jetë më 16 tetor në udhëtim te MBA Moscow, derisa ndeshjen e parë në shtëpi do ta kenë ndaj Sparta-s, më 24 tetor. Më 31 tetor e presin Beshiktashin, si dhe më pas e presin MBA Moscow më 7 nëntor. Dy ndeshjet e fundit do të jenë si mysafirë, ndaj Sparta-s më 27 nëntor dhe 5 dhjetor ndaj Beshiktashit. Dy ekipet e para kualifikohen tutje.

Kjo është hera e parë që një klub kosovar merr pjesë në gara ndërkombëtare, që pas sezonit 2003/2004 kur Universiteti i Prishtinës ka garuar në Ligën Rajonale Trocal.