Çka e shtyri të merrte prapë drogë?

Çka e shtyri të merrte prapë drogë?

Mbase ai se ka menduar se kjo do të mund t’i ndodhte, por kontakti i sërishëm me drogën e rëndoi edhe më shumë.

Ai pësoi aksident në moshën 24-vjeçare dhe ky aksident u bë shkas i rikthimit te dashuria e parë “famëkeqe”. Dhimbjet që i përjetoi nga aksidenti veç se iu shtoheshin dhe ilaç të vetëm e konsideroi drogën, por barra e pendimit ishte më e madhe se dhimbjet që përjetoi.

Për 7-8 muaj, fshehurazi familjes ai konsumoi drogën dhe siç e përshkruan ai “qateher e kom pas vështirë dy ditë kom hallakat Prishtinën deri kom gjet”.

Frika se mos do ta humbiste familjen e shpëtoi atë nga droga, sepse në të kundërtën nëse ata do ta kuptonin, do t’i shkëpusnin të gjitha kontaktet me të. Kjo e shtyu atë drejt vendimit që ta ndërpriste kontaktin me drogën, e cila shitej me çmim më të lirë sesa para luftës.  Para luftës 1 gram kushtonte 100 marka, ndërkaq pas luftës 1 gram kushtonte 25 euro. Ai tregon se brenda ditës i ka shpenzuar deri në 200 euro për të blerë heroinë.

Prishtinasi (emër i njohur për redaksinë) tregoi për rtv21.tv se ndjehet shumë i penduar që ka konsumuar heroinë, sepse siç thotë ai droga u bë shkas që prindërit e tij të fitojnë sëmundje, babai vuan nga kanceri ndërsa e ëma nga tensioni.

I gjithë ky përjetim i prishtinasit i dha atij mesazhin më të fuqishëm në jetë, “familja para së gjithash”. Ai u martua në moshën 36-vjeçare me një femër shqiptare që jetonte jashtë vendit. Tashmë kanë një djalë dhe me dashuri të madhe u shpreh për ta kur tha se “nuk i kisha ndrru me kurgjo n ‘kit botë”.

“Mos te provojnë asnji drogë të rit, droga të mirë nuk ka”, e përmbylli rrëfimin e tij Prishtinasi, që ia mori vitet më të mira të rinisë por edhe e drejtoi aty ku është sot, i lumtur pranë familjes./21Media