Prishtinës i teprojnë 30 milionë euro nga buxheti

INPO kërkon sqarime pse nuk u shfrytëzua rreth 60% e buxhetit të Prishtinës

Organizata INPO vlerëson se Komuna e Prishtinës ka bërë realizim të ulët të buxhetit për investime kapitale gjatë vitit 2019.

Sipas të dhënave del se kjo komunë i ka shpenzuar vetëm 40.9 për qind të buxhetit për investime kapitale, duke i lënë të pa shpenzuara rreth 30 milion euro.”, thuhet në reagimin e kësaj organizate.

INPO ri- i bën thirrje kryetarit të komunës dhe Kuvendit Komunal që të bëjnë një analizë të hollësishme të arsyeve të mos shpenzimit të buxhetit në projektet kapitale dhe të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për përmirësimin e punës në realizimin e buxhetit.

“Ky trend në rënie i shpenzimit të buxhetit të dedikuar për investime kapitale, dëshmon paaftësinë e komunës për t`i planifikuar dhe realizuar projektet kapitale brenda vitit buxhetor.”, thotë INPO

Sipas raportit financiar të Komunës së Prishtinës për periudhën 1 janar-31 dhjetor 2019, i ekzekutivi komunal, njëjtë si në vitin e kaluar, nuk ka arritur të shpenzoj as gjysmën e buxhetit të planifikuar për investime kapitale. Nga mbi 46 milionë euro të parapara për këtë kategori, komuna ka shpenzuar vetëm 18 milionë e 845 mijë euro, apo vetëm 40.94% të mjeteve në dispozicion.

“Krahasuar me vitet paraprake 2018, 2017, 2016 dhe 2015, vërejmë se niveli i ekzekutimit të buxhetit për investime kapitale ka pësuar rënie drastike. Në vitin 2018, nga kjo kategori buxhetore ishin shpenzuar 43.47% të mjeteve në dispozicion, ndërkaq 56.48% në vitin 2017, 58% në vitin 2016 dhe 62% në vitin 2015.”, vlerëson INPO.

Sipas INPO-s 50% e mjeteve për këtë kategori janë shpenzuar në tremujorin e fundit të vitit 2019, që është tregues i qartë për mungesën e angazhimit sistematik të komunës për të menaxhuar dhe mbikëqyrur realizimin e investimeve kapitale.

Po ashtu INPO vlerëson se ngecje është vërejtur edhe në inkasimin e të hyrave vetjake nga disa kategori të hyrave./21Media

Back to top button