Pritet inspektimi i spitaleve në shtet

Qytetarët e Kërçovës ende po përdorin spitalin e vjetër

Këto janë pamje nga brendia e spitalit Nënë Tereza në Shkup.Xhirimet janë bërë në repartin e dermatologjisë.

Gjendja s’është më e mirë as në spitalin e Tetovës.Por, për më të dëmtuarin, mund të llogaritet edhe spitali i qytetit të Shtipit.

Për gjendjen në këto institucione shëndetësore, ministri Arben Taravari tha se do të bindet me sytë e tij.

“Nuk kam qenë në Shtip, por dua të shkoj por më thanë që të pres! Të zgjedhim drejtor të ri dhe do të shkojmë pastaj. Megjithatë para se të ndërtohej Shkupi 2014 të gjithë ato përmendore dhe aI luks nga qeveria, do të ishte më krenari të ndërtohen këto spitale. Kështu njëjtë është edhe në Gostivar, Kërçovë, Strumicë, Gjevgjeli gjendja është e njëjtë!”, tha Taravari.

Për këto spitale, dhe të tjerat në nivel të shtetit, në vit nga buxheti ndahen afro 400 milionë euro.

Se a është largimi i drejtorëve veprimi më i mirë për t’i “shëruar” spitalet, kjo nuk komentohet nga drejtori i spitalit të Shtipit.

Aleksandar Stojanovski tha për TV21, se vendimet e ministrit janë obligative për menaxherët e institucioneve shëndetësore.

“Të gjitha veprimet që i ka përmendur ministri, me aq sa di, bien në ingerencat e tij!”, tha drejtori i spitalit të Shtipit, Aleksandar Stojanovski.

Kolegu i tij nga Shkupi, drejtori i spitalit “8 Shtatori” Sasho Stojçev thotë se ka edhe punë të tjera në shëndetësi, të cilat duhet trajtuar me kujdes dhe urgjencë.

Gjëja e parë sipas tij, është ndalja e trendit të migrimit të punëtorëve shëndetësor!

“Kemi mungesë të asistentëve që ofrojnë instrumentet gjatë operacionit si dhe mungesë të anestetikëve. Në vitet e para kishim mungesë të anesteziologëve ndërsa tani numri i tyre është i mjaftueshëm. Megjithatë, krejt është e kotë kur nga 7 salla operative, punojnë vetëm 3”, u shpreh Sasho Stojçev, drejtor i spitalit “8 Shtatori”.

Sa për ironi, në Maqedoni, ka spitale që për dekada janë duke u ndërtuar, si rasti i spitalit të Kërçovës i cili po ndërtohet por nuk po përfundon tash e 32 vjet.

Kurse qytetarët e Kërçovës ende po përdorin spitalin e vjetër./21Media

Back to top button