U shprehën mirënjohës për bashkëpunimin

U shprehën mirënjohës për bashkëpunimin

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, priti në takim lamtumirës shefen e EULEX-it, Alexandra Papadopoulou, ku tha se ka pasur një bashkëpunim të shkëlqyer mes institucioneve të Kosovës dhe autoriteteve të rendit dhe ligjit të BE-së. Sipas tij, ky bashkëpunim dëshmon se rrugëtimi i Kosovës do të jetë i koordinuar dhe bashkëveprues me autoritetet e BE-së me synimin që sa më shpejt të ndodh liberalizimi i vizave për Kosovës.

“Sot veç i kemi thënë lamtumirë në kuptimin e angazhimeve që ka pasur këtu, pasi që ishte takimi i fundit. Një punë dhe një bashkëpunim i shkëlqyer që ka qenë i të gjitha institucioneve të Republikës së Kosovës dhe autoriteteve të rendit dhe ligjit të Bashkimit Evropian. Kjo dëshmon se rrugëtimi i Kosovës do të jetë i koordinuar dhe bashkëveprues me autoritetet e Bashkimit Evropian, me synimin tonë të qartë që të ndodh sa më shpejt liberalizimi i vizave, por edhe perspektiva konkrete evropiane”, tha Thaçi.

Shefja e EULEX-it, Alexandra Papadopoulou, në takim lamtumirës gjatë ditës është pritur edhe nga kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli.

Papadopoulou është takuar sot edhe me kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa. Gjatë takimit u diskutua për situatën aktuale në vend me theks të veçantë për drejtësinë në Kosovë. Mustafa e falënderoi Papadopoulou për përkushtimin dhe angazhimin e saj në zhvillimin dhe fuqizimin e sundimit të ligjit.

Shefja e EULEX-it falënderoi kryetarin Mustafa gjatë kohës sa ishte kryeministër i Kosovës dhe tashmë si shef i opozitës për pritjen dhe bashkëpunimin e deritanishëm në ngritjen e kapaciteteve të institucioneve të Kosovës për një shtet ligjor dhe funksional.

Ndryshe, Papadopoulou është diplomate e lartë greke me përvojë të gjerë në Ballkan, e cila ka shërbyer edhe më parë në Kosovë si Shefe e Zyrës Ndërlidhëse të Greqisë në vitin 2000. Po ashtu, ajo ka shërbyer edhe si Përfaqësuese e Përhershme e Greqisë në Bashkimin Evropian në Bruksel, si dhe ka qenë drejtoreshë e përgjithshme për çështjet e BE-së në Ministrinë e Jashtme Greke gjatë presidencës greke të BE-së në vitin 2014.