Privatizimi i Telekomit po shihet të jetë shpëtimi i tij

Sipas Llukës, privatizimi do të paraqiste një zgjidhje më afatgjate edhe për punëtorët e Telekomit

Tashmë për herë të tretë Qeveria e Kosovës ka filluar tentimit për të shpëtuar Telekomin e Kosovës përmes privatizimit. Kjo tentativë për ministrin e Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Llukën po shihet të jetë zgjidhja e vetme dhe më e mira. Lluka për Kp është shprehur se vetëm këtë formë qeveria mund të mbetet aksionare dhe mund t’i shmangej subvencionimit që mund t’i bëhet kësaj ndërmarrjeje nga shteti. Ai gjithashtu është shprehur se privatizimi do të paraqiste një zgjidhje më afatgjate edhe për punëtorët e Telekomit.

Kreu i zhvillimit ekonomik, ka bërë të ditur se janë katër kompani që kanë shprehur interesim për të privatizuar Telekomin, siç ka thënë ai, dy prej tyre kanë qenë me shkrim, Kompania “Orange” nga Franca dhe ajo Austriake “A1”. Ndërsa, për dy kompani të tjera, Lluka ka thënë se janë fonde investuese ajo “Rockaway” nga shteti Çekë dhe së fundi “Alltirelly One” nga SHBA.

Pavarësisht kësaj, ministri ka thënë se për të ardhur tek privatizimi duhet investuar. Ndërsa, për vlerën momentale të Telekomit është shprehur se nuk dihet ende.

Sa i për ketë mbipopullimit të punëtorëve në Telekom, ministri Lluka ka thënë se duhet të bëhet një analizë e mirëfilltë që t’i ofrohet ofertueseve, sipas tij, në mënyrë që punëtorët mos të largohen nga puna.

Përkrahje të madhe për privatizimin e Telekomit të Kosovës ka dhe nga Oda Ekonomike Amerikane. Drejtori i kësaj Ode, Arian Zeka ka thënë se zgjidhja më e mirë e mundshme është kalimi nga pronësia shtetërore në atë private. Krejt kjo sipas tij, duhet të ndodhë pasi do të jetë mundësia e investimeve më të mëdha, sepse qeveria nuk ka kapacitete që të investoi dhe të jetë në hap me konkurrentët.

Ndërsa, nga partia opozitare, Lëvizja Vetëvendosje janë shprehur kundër këtij privatizimi. Sipas tyre, ata gjithmonë kanë qenë kundër kësaj dhe këtë hap të qeverisë e kanë cilësuar si dështim të radhës të tyre.

Deputeti nga radhët e kësaj partie, Sali Zyba ka thënë se është e rrezikshme mënyra se qysh qeveria po tenton të privatizojë Telekomin. Ai ka konsideruar se të gjitha hapat e tyre do të jenë të dështuar. Ai ka pasur një kërkesë ndaj qeverisë, që të respektohet rezoluta e nxjerrur nga kuvendi vitin e kaluar, pasi siç ka thënë Zyba partia që përfaqëson ka ofruar zgjidhje për Telekomin e Kosovës.

Telekomi i Kosovës ka disa vite që është duke funksionuar me humbje të mëdha, pikërisht për shkak të keq menaxhimit. Ndërsa, përgjatë këtyre viteve, dy herë ka dështuar privatizimi i tij.

Back to top button