Privatizimi i Telekomit, reagon Visar Ymeri

Ymeri: Privatizimi i Telekomit dëshmon se “viti i ekonomisë” i shpallur nga qeveria është realisht viti i shpronësimit

Deputeti i PSD-së, Visar Ymeri ka reaguar pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për ta privatizuar Telekomin e Kosovës. Sipas Ymerit privatizimi i Telekomit po arsyetohet si zakonisht me faktin se kompania paska performancë negative financiare.“Asnjë analizë më përmbajtësore, se si një kompani me profit të jashtëzakonshëm është shndërruar në një kompani buzë falimentimit? Kontrata gllabërruese e zhvatëse që themeloi kompaninë “Z Mobile” nuk ishte kërkesë e telekomit, por imponim i politikave e politikanëve të korruptuar. Rritja artificiale e e papërballueshme e numrit të punëtorëve në Telekom nuk ishte konkurs i telekomit dhe nevojë e tij, por intervenim i politikave klienteliste të politikanëve shkatërrues.”, ka shkruar Ymeri në Facebook.

Ai po ashtu ka shtuar se privatizimi po ndikon në moszhvillimin e Kosovës. “Ndalja për një kohë të gjatë e investimeve në telekom nuk ishte gabim nga mosdija e ekspertëve të telekomit, por vendim nga dija (për privatizim) e qeveritarëve. Me këtë mani privatizuese, Kosova po heq dorë nga zhvillimi. Duke e parë privatizimin si parim ideologjik, e jo racionalitet ekonomik. Edhe sot, vazhdon privatizimi i gjithçkaje. Shpronësimi në mungesë të ndryshimit të politikave. Shpronësimi në emër të argumentit se privatizimi po ua heq nga dora ndërmarrjet politikanëve të korruptuar. Po me këto politika dhe politikanë, si do t’ia bëjmë me buxhetin e shtetit, administratën shtetërore, resurset natyrore, shtetin? T’i shesim të gjitha?“, ka përfunduar Ymeri.

Kabineti qeveritar ka miratuar dje kërkesën e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, për përgatitjen e Telekomit të Kosovës për privatizim. Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, ka thënë se ka kërkuar nga BERZH-i që të ndihmojë qeverinë në ristrukturimin e Telekomit./21Media

Back to top button