Raporti i auditorit ka nxjerrë në pah se komuna e Prizrenit nuk i ka respektuar procedurat ligjore

Raporti i auditorit ka nxjerrë në pah se komuna e Prizrenit nuk i ka respektuar procedurat ligjore

Shumë shkelje e parregullsi në Komunën e Prizrenit ka gjetur Zyra e Kombëtare e Auditorit, për vitin 20160të. Raporti i auditorit ka nxjerrë në pah se komuna e udhëhequr nga Ramadan Muja, pa i respektuar procedurat ligjore ka dhënë me qira pronat e Komunës.

“Komuna për pronat e dhëna me qira për 2016 kishte planifikuar që të realizoj 1,350,000 euro, ndërsa kishte arritur të inkasojë 501,328 euro apo 37%. Në vitin 2016 ishin bërë kontrata për shfrytëzimin e pronës komunale me çmim prej 1 euro në muaj për 8 lokale disa partive politike, duke mos organizuar ankande publike siç kërkohet me Ligjin për dhënien në shfrytëzim dhe këmbim të pronës së paluajtshme komunale. Këto lokale ishin dhënë duke u bazuar në vendimin e asamblesë komunale që ishte nxjerrë në vitin 2005. Po ashtu, edhe 8 lokale tjera dhe një objekt pronë e komunës nuk ishte organizuar ankand publik nga komuna, përderisa ato shfrytëzohen nga disa Organizata Jo Qeveritare dhe parti politike pa kontrata. “, thuhet në raportin e auditorit.

Po ashtu në këtë rast sipas raportit, në dy raste qiramarrësit e shfrytëzojnë pronën komunale për tregje pa kontratë valide sepse kontrata ju kishte skaduar qysh në vitin 2013, dhe këta shfrytëzues vazhdojnë të ngarkohen me qira vetëm me një shkresë të Drejtorisë së shërbimeve publike të datës 10.11.2014. Këta obligues i kanë borxh komunës shumën 285,834 euro.

Në një rast tjetër, sipas auditorit,  komuna ka kontratë që nga viti 2009 me një operator për shfrytëzimin e tregut të gjelbër me qira mujore prej 180 euro në muaj. Ndërsa auditori, ka vërejtur se operatori ekonomik nuk ka kryer obligimet sipas kontratës dhe nuk ka paguar asnjëherë obligimin ndaj komunës. Borxhi total kishte arritur në 14,580 euro.

Komuna e Prizrenit, sipas auditorit  nuk ka arritur të inkasoj as borxhet. Borxhet totale ndaj komunës, në fund të vitit 2016 ishin 15,567,347 euro. Borxhi kryesor mbetet inkasimi i tatimit në pronë në vlerë 6,808,003 euro, pastaj taksat nga veprimtaritë e biznesit 5,753,532 euro, të hyrat nga mbledhja dhe menaxhimi i mbeturinave 1,859,235 euro nga dhënia me qira e tregjeve 455,577 euro, si dhe tarifat tjera prej 691,000 euro. Krahasuar me vitin e kaluar (14,013,000 euro), llogaritë e arkëtueshme ishin rritur për 1,554,347 euro. Kjo është si pasojë e mos vendosjes së mekanizmave adekuat të inkasimit nga ana e komunës. P.MUSA