Për panairin u tha se është një mundësi e mirë që të ekspozohen punimet e dorës

Për panairin u tha se është një mundësi e mirë që të ekspozohen punimet e dorës

Në Prizren sot u hap Panairi i Veshjeve Tradicionale, organizim ky i Komunës së Prizrenit. Aty u ekspozuan veshje e gjëra tradicionale nga kultura të ndryshme. Përveç panairit, aty u mbajt edhe një manifestim kulturo-artistik dhe u realizua ecja në qytet me veshje tradicionale.

Qyteti i Prizrenit, i cili çdo fundjavë pret vizitorë nga vende të ndryshme, brenda dhe jashtë Kosovës sot ishte edhe më i mbushur. Aty u vendosen tendat, në të cilat u ekspozuan veshje dhe gjëra të tjera tradicionale. Në qytetin e multietnicitetit, u shfaqën veshje të kulturës shqiptare, boshnjake, turke, rome e të tjera.

Për panairin u tha se është një mundësi e mirë që të ekspozohen punimet e dorës, të cilat krijohen me shumë përkushtim, në masë të madhe nga gratë.

Artan Abrashi, kryesues i Kuvendit Komunal në Prizren në ceremoninë e hapjes së panairit tha se trashëgimia e të gjitha etnive në Kosovë është shumë e pasur. Ai tha që shpreson që i njëjti të vazhdojë, e të pasurohet më shumë në vitet e ardhshme.

Zejxhan Celina, e cila organizoi pjesëmarrjen e grave në këtë panair tha se tashmë ky panair është tradicional në Prizren. Ajo tha që gratë tani nuk hezitojnë të dalin me prodhimet e tyre, për dallim për viteve më parë kur ka qenë më e vështirë të organizohen ngjarje të tilla.

Pranë veshjeve tradicionale shqiptare, po qëndrojnë edhe ato të komunitetit boshnjak. Është Sadri Bajra ai i cili nëpër fshatra të ndryshme brenda dhe jashtë Kosovës, i mbledh këto veshje dhe i ekspozon pastaj për shitje.

Për të vizituar Panairin e Veshjeve Tradicionale ishin ardhur edhe shqiptar nga shtetet fqinjë. Hivzi Aliriza, banor i Tetovës tha se ndjehet shumë mirë që po e sheh nga afër një organizim të tillë.

Panairi i Veshjeve Tradicionale që u hap sot në orën 10 në sheshin “Shatërvan” në Prizren, u organizua nga Drejtoria e Turizmit dhe Zhvillimit Ekonomik në këtë komunë.