Pro Open reagon ndaj vendimit të ministrit Matoshi

Reagim ndaj vendimit për zhbllokimin e procedurave për dhënien e lejeve për ndertim të hidrocentraleve

Pas raportimeve se Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në largim, Fatmir Matoshi, ka zhbllokuar procedurat për dhënien e lejeve për ndërtimin e hidrocentraleve në Republikën e Kosovës, koalicioni për Hapje të të Dhënave dhe Llogaridhënie në Prokurim Publik “Pro Open”, kërkon urgjentisht që të respektohet moratoriumi i vendosur në maj të vitit 2018 për pezullimin e licensave derisa të bëhet një vlerësimi i ri dhe i mirëfiltë i kapaciteteve ujore në vend si dhe ndikimit të hidrocentraleve të vogla në cilësine e mjedisit dhe mirëqenien e qytetarëve që jetojnë në afërsi.

“Në përkrahjë të qytetarëve në Deçan, Pejë dhe Shtërpcë, të cilët janë dukë protestuar ndërtimin dhe operimin ilegal të hidrocentraleve në komunat e tyre, ne kërkojmë nga të gjitha institucionet kompetente – Ministria e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor, Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Zyra e Rregullatorit për Energji dhe komunat përkatëse – të ndalojnë menjëherë procedurat për dhënien e lejeve të reja dhe operimin ilegal të hidrocentraleve”, thuhet në reagimin e “Pro Open”.

Qeveria e Kosovës ka vënë cak që deri më 2025 të arrijë të prodhojë 25% të energjisë përmes burimeve të ripërtëritshme, duke vënë theks në eksploatimin e burimeve ujore. Në Kosovë janë 13 hidrocentrale aktive ndërsa planifikohen të ndërtohen edhe mbi 100 hidrocentrale të vogla kryesisht në hapësira brenda parqeve nacionale!

Që nga viti i kaluar qytetarët kanë protestuar operimin ilegal të hidrocentraleve në grykën e Deçanit, ndërtimin e një hidrocentrali të ri në Lumbardhin e Pejës si dhe ndërtimet e hidrocentraleve të vogla në rrjedhën e lumit Lepenc në komunën e Shtërpcës. Duke cituar dëmet mjedisore dhe ekonomike, si dhe mënyrën ilegale të operimit të hidrocentravele ekzistuese pa licensat e nevojshme, qytetarët kanë kërkuar nga Qeveria Haradinaj ta ndalojë operimin e hidrocentraleve ekzistuese dhe lëshimin e licensave për ato të reja.

Në fund të prillit 2018, Ministrja e atëhershme e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor Albena Reshitaj kishte marrë vendim për pezullimin e lëshimit të të gjitha licensave nga Ministria derisa të bëhej një vlerësim fizibiliteti i potencialit ujor të vendit. Vlerësimi i fundit i kapaciteve nëntokësore dhe sipërfaqsore ujore është bërë në master planin e ujërave në vitin 1984.

“Është shqetësuese që disa ditë para zgjedhjeve të parakohshme, Ministri në largim z. Matoshi ka dhënë dritën e gjelbër për heqjen e këtij pezullimi duke thënë se Sekretari dhe departamentet përgjegjëse duhet “të fokusohen në zbatimin e kornizës ligjore”. Ky vendim e injoron situatën në të cilën është marrë vendimi i Ministres Reshitaj, pikërisht në kohën kur vendi është në fushatë zgjedhore dhe ekziston një vakuum institucional me mosfunksionimin e parlamentit. Paradoksalisht, thelbi i problemit të ndërtimit të mini-hidrocentraleve është në mos-zbatimin e ligjit – ndërtimi në hapësira të parqeve nationale dhe shkatërrimi i ekosistemeve në vendet ku ndërtohen”, thuhet tutje në reagimin e koalicionit “Pro Open”.

Koalicioni “Pro Open” i bën thirrje Kryeprokurorit të Shtetit Aleksandër Lumezit, që urgjentisht të fillojë hetimin e këtij rasti, pasi që ky vendim bie ndesh me Ligjet në fuqi dhe sjellë dyshime për një ndikim të mundshëm të përfituesve te Ministri.

“Pro Open” kërkon që të respektohet vendimi i marrë nga Ministrja e kaluar dhe të pezullohen lejet e reja derisa të bëhet një vlerësimi i ri dhe i mirëfiltë i kapaciteteve ujore në vend si dhe ndikimit të hidrocentraleve të vogla në cilësië e mjedisit dhe mirëqenies së qytetarëve./21Media

Back to top button