Dështon seanca gjyqësore, shkak problemet me kartela

Dështon seanca gjyqësore, shkak problemet me kartela

Gjykata Themelore e Prishtinës sot nuk ka lejuar futjen e avokatëve në Pallat të Drejtësisë, në mungesë të kartelave të anëtarësisë për vitin 2020 që lëshohen nga Oda e Avokatëve. Kështu ka dështuar seanca gjyqësore për rastin e njohur si “Veteranët”.

Lidhur me këtë ka reaguar Oda e Avokatëve duke thënë se avokatët janë njoftuar e rinjoftuar.

“OAK, më datë 31 Dhjetor 2019, u ka dërguar njoftim/email të gjithë Avokatëve të Republikës së Kosovës, duke i njoftuar që ID Kartelat janë të gatshme dhe paisja me to do të bëhet nga data 3 janar 2020”, thuhet në reagimin e OAK-së.

Gjithashtu më 10 janar OAK ka rinjoftuar avokatet.

OAK ka shpjeguar se kartelat janë valide nga 01 Janar- deri në 31 Dhjetor të çdo viti.

“Të njëjtat ripërtërihen, për vitin pasues ku avokatët paguajnë anëtarësinë vjetore dhe paisen me ID-në për vitin vijues. ID kartelat që avokatët i kanë paraqitur dhe me të cilat nuk janë lejuar të përfaqësojnë, janë të skaduara më datë 31 Dhjetor 2019 e që për të vërtetuar legjitimitetin e të qenurit avokat duhët të jenë të pajisur me ID- kartelen valide”, thuhet në sqarimin e OAK-së./21Media