‘Problemet mes Turqisë dhe Greqisë mund të zgjidhen paqësisht’

Kanalet e komunikimit mes këtyre dy vendeve mbeten të hapura

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan dhe Kryeministri grek, Aleksis Cipras u deklaruan se problemet që kanë këto dy vende mund të zgjidhen paqësisht.

Pas një takimi që kishin ata thanë se kanalet e komunikimit mes dy vendeve mbeten të hapura.

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan pohoi i bindur se problemet me Greqinë mund të zgjidhen paqësisht, duke nënvizuar disa çështje të mosmarrëveshjeve, si ekstradimi i puçistëve të dyshuar nga Athina.

“Ne besojmë se të gjitha problemet me Greqinë mund të zgjidhen në mënyrë paqësore’’, deklaroi kreu i shtetit turk në një konferencë shtypi me kryeministrin grek, Aleksis Cipras duke shtuar ndërkohë se shpresonte më shumë bashkëpunim për ekstradimin e ushtarëve turq të strehuar në Greqi, të cilët akuzohen nga Ankaraja për pjesëmarrje në grushtin e dështuar të shtetit në korrik të 2016.

Kryeministri grek, Aleksis Cipras u shpreh i lumtur se kanalet e komunikimit mbeten të hapura me Ankaranë, në ditën e parë të vizitës në Turqi për uljen e tensioneve mes dy fqinjëve.

“Jam shumë i kënaqur që kanalet e komunikimit mbeten të hapura me Ankaranë’’, deklaroi ai, duke kërkuar respektimin e vendimeve të drejtësisë lidhur me kërkesat për azil të ushtarëve turq, të dyshuar si puçistë, ndërsa Ankaraja kërkon ekstradimin e tyre.

Back to top button