Problemet që po rrezikojnë shuarjen e shtypshkronjave

Sipas pronarit të një shtypshkronje, politikat fiskale po e stërngarkojnë veprimtarinë e tij

Veprimtaria e Shtypshkronjave në Kosovë është e rënduar tejmase viteve të fundit nga tatimet doganore dhe Tatimi mbi Vlerën e Shtuar(TVSH) për lëndën e parë të prodhimit. Këto taksa të aplikuara nga shteti kanë bërë që shumë shtypshkronja në Prishtinë edhe të shuhen.

Pronari i Shtypshkronjës “Lena Grafik” Hajdar Fejzullahu, tregon se politikat fiskale kanë stërngarkuar veprimtarinë e tij dhe mezi po ia del të mbijetojë me këtë lloj biznesi, ndërsa, autoritetet e shteteve përreth i kanë liruar nga taksa doganore dhe të TVSH-së të gjitha shtypshkronjat.

Ai tregon se pas luftës kanë qenë rreth 80 shtypshkronja vetëm në Prishtinë, kurse aktualisht nuk janë më shumë se 12-13.

Fejzullahu thotë se edhe tirazhi i librave ka rënë rreth 70 përqind, që sipas tij, kjo është tragjike.
“Puna e librit është një punë arti dhe e dua këtë profesion, por vështirësitë të cilat kohëve të fundit po na shfaqen janë më tepër politikat fiskale, doganore dhe TVSh-ja që e ngarkojnë e stërngarojnë librin, këto po e bëjnë të veten. Kështu që një pjesë e madhe që ndihem shumë keq kur po I shohë që dita ditës veç po bien prej sistemit. Arsyet ne I kemi hulumtuar me kolegë dhe miq, ku kemi të dhëna se shtetet përreth nuk paguajnë taksë doganore për letër fare e as TVSh-në brenda shteteve nuk e kanë në libër dhe në gazeta. Kurse, neve po na stërngarkojnë, edhe ne po çudi po dalim më të shtrenjtë se shtetet përreth”, theksoi Fejzullahu.

Ai kërkon nga autoritetet ose institucionet e Kosovës që të krijojnë lehtësira për këtë veprimtari, duke iu mundësuar edhe krijuesve të librit me qenë më të lirë në treg. Ai kërkoi nga organet përgjegjëse që të trajtohen si prodhues nga shteti për të qenë edhe konkurrent në tregun rajonal.

Fejzullahu i cili ka përvojë 40 vjeçare në punë grafike, duke u shprehur i zhgënjyer për kushtet jo të favorshme që po i ofron shteti në punën e tij të përditshme thotë me çmime nuk po arrin me qenë konkurrent me shtetet e rajonit.

Ai ka treguar se ka pasur një ofertë prej një kompanie nga Anglia diku në vitin 2009 në vlerë prej 7 milionë euro për shtypjen e një libri, ku ishin konkurrent edhe prodhues nga Maqedonia, por fatkeqësisht “Lena Grafik” ka dal 12-13 përqind më shtrenjtë se shtypshkronjat nga Maqedonia dhe ka fituar ofertën një prodhues nga ky shtet fqinj.

Po ashtu Fejzullahu potencoi se jo më larg se para shtatë muajve kishte pasur edhe një ofertë tjetër nga një shoqatë Gjermane për 300 mijë kopje, por nuk e kishte arritur edhe pse kishte një çmim me kushtet mjaft të arsyeshme.

“Punë kishte me pasur sikur ne të ishim të liruar prej taksave doganore dhe të TVSh-së në letër, sepse do të ishim edhe ne konkurrent në treg për arsye se e kemi fuqinë punëtore në Kosovë më të lirë”, tha ai.

Ai shton se shteti duhet të merret me këtë problematikë, sepse libri është parandalues i bastardimit të gjuhës dhe nuk shihet një ardhëmri e mirë pa libër në një popull.
Ndër problemet dhe vështirësitë tjera Fejzullahu ka edhe për aftësimin e kuadrit, për arsye se për ta realizuar një libër duhet me i pasur së paku 4 vetë të specializuar për këtë punë, duke u nisur prej montazherit, dizajnerit dhe mjeshtrit i cili e bënë lidhjen e librit.

Ndryshe, “Lena Grafik” ofron shërbime mjaft cilësore me shpejtësi, teknologji të lartë, korrektësi dhe kapacitete deri 400 kopje.

Back to top button