Kelmendi tha se për çmimet e larta të energjisë elektrike për bizneset, Qeveria nuk ka kompetenca fare

Kelmendi tha se për çmimet e larta të energjisë elektrike për bizneset, Qeveria nuk ka kompetenca fare

Edhe pse prodhimtaria vendore e vezëve i plotëson kërkesat e tregut të Kosovës, industria e mishit të shpezëve i plotëson vetëm 7 përqind të kërkesave. Prodhuesit thonë se ka probleme të mëdha në sektorin e mishit, për shkak të mungesës së energjisë dhe importit të madh nga Brazili me çmime të lira.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Ramiz Kelmendi sot vizitoi Industrinë e mishit të shpeztarisë “Konsoni” në Gjilan, ku u njoftua me zhvillimin e kësaj industrie. Ai tha se Qeveria e Kosovës, është e përkushtuar që t’i përmbush kërkesat e arsyeshme të prodhuesve.

Kelmendi tha se është i njoftuar për importin e madh të produkteve të mishit nga Brazili me çmime të lira, por, sipas tij, ky është një treg i lirë. Ai tha se për çmimet e larta të energjisë elektrike për bizneset, Qeveria nuk ka kompetenca fare, ngaqë sipas Kelmendit, autoritetin rreth kësaj çështje e ka ZRRE-ja.

Menaxheri i fabrikës “Konsoni” në Gjilan, Agim Sahiti tha se sikurse të gjithë prodhuesit tjerë, edhe ai ballafaqohet me mungesë dhe çmim të lartë të energjisë elektrike.

Sipas tij, importi i mishit të shpeztarisë nga Brazili, me çmim të lirë, është pengesë për këtë fabrikë. Sahiti theksoi se me prodhimin e tij, plotësojnë kërkesat e tregut me mish të pulës në Kosovë me rreth 7 përqind dhe njoftoi se industria e mishit në “Konsoni”, është me standarde dhe cilësi të lartë.

Kjo fabrikë vetëm 40 përqind shfrytëzon kapacitetet e saja, për shkak se ka vështirësi për të gjetur tregje në Kosovë.

Në këtë fabrikë bëhet rritja e brojlerëve (zogjve), ku theren, paketohen dhe pastaj plasohen në tregun vendor.