Prodhuesit përballen me mungesë të punëtorëve të kualifikuar

Drejtori i programit në EYE, tha se po punojnë që të ndihmojnë sektorin e prodhimit

Klubi i Prodhuesve të Kosovës së bashku me përfaqësues nga EYE (Enhancing Youth Employment- ) vizituan kompaninë “Vita”, “Birra Peja” dhe “Line Group”, për t’u njoftuar nga afër për punën e tyre si dhe sfidat me të cilat ballafaqohen këto kompani.

Gjatë kësaj vizite u vërejt se një nga problemet e shumta me të cilat përballen pothuajse të gjithë prodhuesit në Kosovë është edhe mungesa fuqisë punëtore të kualifikuar që përbën një sfidë mjaft të madhe për prodhuesit e që ndikon drejtpërdrejt në avancimin e sektorit të prodhimit në vend.

“Edhe pse numri të papunëve në Kosovë është mjaft i madh, sektori i prodhimit ka pasur problem në vazhdimësi për gjetjen e punëtorëve të kualifikuar për nevojat e biznesit. Kjo për shkak të mungesës së investimeve në ngritjen profesionale tek të rinjtë dhe krijimin e programeve të cilat do t’iu përshtateshin tregut të punës. Sektori i prodhimit ka mungesë të thellë të punëtorëve të kualifikuar sidomos në teknologjinë e ushqimit dhe mekatronikës”, thuhet në komunikatën e Klubit të Prodhuesve.

Klubi i Prodhuesve vazhdimisht ka shprehur shqetësimin për problemet me të cilat ballafaqohet sektori i prodhimit e sidomos me mungesat që kompanitë e ndryshme kanë sa i përket burimeve njerëzore.

Ndërsa, Tim Sparkman drejtor i programit në EYE, tha që në kuadër të aktiviteteve të tyre punojnë që të ndihmojnë sektorin e prodhimit gjithnjë e më shumë me fuqi punëtore relevante, produktive dhe premtuese, kështu duke i mobilizuar resurset dhe partnerët e tyre për t’i realizuar këto ndryshime.

Back to top button