Prodhuesit vendor të rrezikuar nga importi

Menaxheri i fabrikës “Konsoni”, Agim Sahiti tha se si prodhues janë në rrezik nga importi

Importi i produkteve të njëjta nga vendet e tjera, mungesa e energjisë dhe mos mbështetja nga Qeveria janë disa nga sfidat me të cilat përballën prodhuesit vendor.

Menaxheri i fabrikës “Konsoni”, Agim Sahiti, në një intervistë për KosovaPress, tha se si prodhues janë në rrezik nga importi.

“Si çdo prodhues në Kosovë që i ka sfidat edhe Konsoni i ka sfidat e veta për shkak se dihet mirëfilli se në Kosovë veç janë prodhues është një sfidë e madhe për vetë faktin se jemi të rrezikuar gjithmonë prej importeve, disa të rregullta e disa të parregullta, por megjithatë Kosova është ende në fazën e zhvillimit dhe nuk është aq e fuqishme. Do të thotë prodhuesit nuk janë aq të fuqishëm sa të përballen me prodhues shumë më të mëdhenj dhe një prodhim jo i barabartë me shtetet tjera për shkak se ata shumë më herët kanë qenë të subvencionuar prej shteteve të tjera dhe e kanë arrit atë stazhin e zhvillimit. Kurse në Kosovë jemi në zhvillim e sipër dhe kështu pa ndihmën dhe subvencionet, grantet nuk mundet me ec Kosova, prodhuesit e Kosovës përpara, me arrit atë për me i përballua importet nga shtetet e tjera të cilat janë shumë më të zhvilluar se na”, tha ai.

Menaxheri Sahiti tha se importi po i dëmton shumë, posaçërisht në prodhimtarinë e mishit.

Ai bëri të ditur se nga Qeveria e Kosovës nuk kanë marrë ndonjë grant në veprimtarinë e mishit, vetëm se në vitin 2012, kanë marrë një grant prej Bashkimit Evropian.

Menaxheri i kësaj kompanie tha se thertorja që e kanë ka kapacitet të bëjë therjen e 1500 krerëve në orë, por që i therë vetëm 3 mijë në ditë.

Gjithashtu, Sahiti tha se duke qenë se nuk i përmbushin nevojat e vendit me prodhim të mishit, kuptohet se nuk ka vend për eksport.

Ai tha se të gjitha këto probleme i ka Kosova, pastaj ata si prodhues të Kosovës problemet i kanë edhe më të mëdha./21Media

Back to top button