Produktet e importuara vazhdojnë të shiten pa mbishkrime në gjuhën shqipe

Në tregun e Kosovës gjenden mjaft produkte ushqimore, jo ushqimore dhe medikamente të importuara pa mbishkrime në gjuhët shqipe

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë gjatë vitit që lamë pas, ka hasur në gjashtë raste me produkte joushqimore të cilat nuk kanë plotësuar këtë kriter ligjor, prej tyre tri raste i kanë paraqitur në gjykatë përkatëse.

Edhe drejtori i Doganës së Kosovës, Bahri Berisha për KP ka deklaruar se ka importe të produkteve pa deklaracion në gjuhën shqipe, të cilat kanë origjinë edhe nga Bashkimi Evropian. “Kemi raste të tilla që nuk vijnë produktet në gjuhën shqipe, por me legjislacionin nga MTI dhe me udhëzimet e tyre, palët ose importuesit nuk guxojnë atë produkt ta qesin në treg pa e bërë mbishkrimin në gjuhën shqipe dhe zakonisht jepet një afat shtatë ditor nga inspektorët e MTI-së që t’i vendosin etiketat në gjuhën shqipe për produktet para se të dalin në shitje në tregun e Kosovës”, theksoi Berisha.

Ministri i MTI-së Endrit Shala ka thënë për KP, se obligim ligjor mbetet që konsumatorëve kosovarë t’i ofrohen produkte sa më cilësore, njëkohësisht produkte me përmbajtje në gjuhë zyrtare.

Ministri Shala thotë se MTI është e përkushtuar që të gjitha produktet e importuara në Kosovë të kenë mbishkrimin në gjuhën shqipe, që është edhe obligim ligjor për kompanitë importuese. Ai ka shtuar se MTI në momentin që hasë në mallra pa mbishkrime në gjuhë zyrtare ose shqipe, largon mallin nga tregu, derisa të vendoset në gjuhën zyrtare. “Sa i përket përmbajtjes së deklaracionit të secilit mallë, i cili shitet në territorin e Republikës së Kosovës, ashtu siç e përcaktojnë ligjet në fuqi, secili mallë duhet që deklaracioni apo përshkrimi i atij produkti të jetë në gjuhët zyrtare të Republikës së Kosovës”, ka thënë Shala.

Sipas tij, ligji për mbrojtjen e konsumatorit e parasheh që secili produkt i cili shitet në Republikën e Kosovës nga data 21 dhjetor, duhet që në anën e majtë të çmimit, të ketë edhe flamurin e origjinës së atij produkti.

Një pjesë të përgjegjësisë për përmbajtjen e produkteve ushqimore e mbajnë edhe autoritetet e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës(AUV). Ndërsa, nga AUV nuk kanë gjetur asnjë rast.

Kryeshefi i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës, Valdet Gjinovci, nuk ka treguar nëse kanë ndëshkuar ndonjë subjekt ekonomik, por ka thënë se AUV nuk lejon që të dalin në treg produkte pa qenë emërtimi i saktë në gjuhën shqipe sa i përket edhe përmbajtjes.“Të gjitha produktet ushqimore të cilat importohen janë të obliguara që operatorët ekonomik të respektojnë emërtimin e tyre, mbi të gjitha të respektojnë gjuhën e shtetit importues, në këtë rast në gjuhën shqipe. Mirëpo, të gjitha produktet të cilat importohen përmbajnë edhe deklaracionin dhe nuk lejohet që të dalin në tregë pa qenë emërtimi i saktë në gjuhën shqipe sa i përket edhe përmbajtjes…. Në asnjë moment dhe në asnjë mënyrë nuk lejohet që cilido produkt qoftë me origjinë bimore ose shtazore nuk lejohet që të importohen pa i plotësuar kriteret dhe pa qenë i sigurt”, thotë Gjinovci.

Kryesuesi i Këshillit për Mbrojtjen e Konsumatorëve, Sherif Fejzullahu tha se në të gjithë sektorët ka disa produkte të cilat nuk kanë mbishkrime në gjuhën shqipe. Fejzullahu ka kërkuar që të largohen nga tregu të gjitha produktet që nuk janë të etiketuara në gjuhët zyrtare.

Drejtues të Odës Ekonomike të Kosovës pohojnë se kjo dukuri pa mbishkrime në gjuhën shqipe është evidente dhe kanë kërkuar nga inspektorët dhe mekanizmat tjerë zbatues të ligjit që të ndërmarrin masa.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës(OEK), Berat Rukiqi ka thënë se në tregë duhet të krijohet konkurrencë e barabartë duke ulur infomalitetin, ngaqë një pjesë e bizneseve janë të diskriminuara për shkak se ligji nuk zbatohet njëjtë për të gjithë. “Ne jemi të interesuar që të ketë formalitet, të ketë konkurrencë të barabartë dhe as inspektorët, as mekanizmat zbatues të ligjit nuk munden me qenë për diko ‘nënë’ e për diko ‘njerkë’, që i bie që me kapacitetin zbatues që e kanë deri tash domosdoshmërisht vijmë deri te kjo situatë, ku për disa vlejnë rregullat për disa nuk vlejnë rregullat”, theksoi Rukiqi.

Me këtë problem me produkte të cilat nuk janë të etiketuara në gjuhën shqipe, po përballet edhe Shqipëria.

Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në Tiranë, Nikolin Jaka thotë se edhe Shqipëria ka të njëjtin problem ku institucionet përkatëse tolerojnë mungesën e theksuar të informacionit që duhet të marrë konsumatori. “Në mënyre kategorike duhet të respektohet. Pothuajse ka filluar tendenca për ta respektuar, por minimaliste është kjo tendencë sepse shumë produkte që vijnë, sepse ne kemi një komunikim dhe qarkullim tregtar të madh me origjinë italiane. Shumë produkte që vijnë, vijnë thjeshtë me një etiket, me një mbishkrim mbi etiket që nuk është brenda etikës dhe ligjit për etiketimet. Kështu që edhe Shqipëria ka të njëjtin problem dhe janë po këto institucione të cilat e tolerojnë këtë mungese të theksuar të informacionit që duhet të marrsë qytetari për produktin që konsumon”, ka thënë Jaka.

Mos deklarimi i mallrave me përbërje në gjuhen shqipe, rrezikon shëndetin e qytetarëve të Kosovës nga konsumimi i këtyre produkteve të importuara pa deklaracion.

Back to top button