Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani ka vlerësuar Profesorin Ali Progri (pas vdekjes) me Dekoratën “Nderi i Kombit”.

Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani ka vlerësuar Profesorin Ali Progri (pas vdekjes) me Dekoratën “Nderi i Kombit”.

Në ceremoninë e vlerësimit të Profesor Progrit, Presidenti Nishani e cilësoi atë si një emblemë të arsimit dhe shkencës.

“Ai rridhte nga një familje e spikatur atdhetare, e cila ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në historinë e vendit tonë duke luftuar në Luftën Antifashiste deri në çlirimin e plotë të Shqipërisë. Ali Progri si një bir i denjë i kësaj familjeje, mbarte në gjenet e tij atdhedashurinë që e reflektoi më së miri duke mos i kursyer asnjëherë përpjekjet e vazhdueshme në shërbim të zhvillimit dhe begatisë së Shqipërisë. Pas përfundimit me rezultate të larta akademike në Universitetin Politeknik të Kievit, ai u kthye në Shqipëri ku shumë shpejt spikati me përkushtimin dhe punën e palodhur, duke lënë gjurmë të thella në historinë e arsimit dhe teknikës së vendit tonë, të cilave u përkushtoi jetën e tij duke i shërbyer për afron katër dekada me radhë”, tha Presidenti Nishani.

Ai po pohoi se Profesor Aliu ishte dhe mbetet në mendjet e zemrat e shumë e shumë prej ish-nxënësve të tij modeli tipik i një pioneri të përkushtuar të arsimit modern shqiptar, duke qenë njëkohësisht edhe njëri nga themeluesit e universitetit të parë shqiptar, atij të Tiranës.

“Në mënyrë të veçantë u dallua për veprimtarinë e tij të gjerë si një mendimtar i vyer dhe veprimtar i shquar, gjithmonë i kudogjendur dhe i gatshëm për të ofruar zgjidhje për problemet më kritike të arsimit, duke hartuar kurikula shkollore dhe duke botuar tekste për studentët e panumërt dhe brezat që u arsimuan nën kujdesin e tij akademik, por mbi të gjitha prindëror”, vlerësoi Nishani.