Projekti KosLift ndihmon rreth 1 mijë studentë dhe 60 biznese kosovare

Sot u bë hapja e projektit KosLift

Rreth 1 mijë studentë dhe 60 biznese kosovare do të mbështeten nga projekti KosLift në sektorët e energjisë, TIK dhe prodhimit me aftësitë e nevojshme dhe kapacitete për të rritur konkurrueshmërinë e tyre në sektorin e biznesit në Kosovë dhe rajon.

Projekti KosLift që është hapur sot zyrtarisht është një investim 30 mujor dhe mbështetet nga ambasada Norvegjeze në Prishtinë dhe implementohet nga IPKO Foundation dhe RIT Kosovë.

Me këtë rast, ambasadori i i Norvegjisë në Kosovë, Per Strand Sjaastad tha se Kosova ka potencial për zhvillimin në TIK.

“Nuk kam pasur dyshim nëse ia vlen ky projekt, ka qenë lartë në listën time prioritare që nga dita e parë. TIK-u nuk është vetëm sektor,  por është edhe një teknologji me ndikim të madh përtej sektorit të vet”, tha ai.

Rektori i Universitetit të Prishtinës, Marjan Dema theksoi se ky projekt është shumë i rëndësishëm për të gjithë studentët.

“UP deri tash i ka hapur dy qendra të inovacionitt. Sado që në situata të ndryshme duket ashtu, por suksesi nuk vjen  rastësisht. Pjesëmarrja në një projekt të tillë do të rezultojë në një përfitim për ju”, tha ai.

Ndërsa, anëtarja e bordit në RIT, Jehona Gjurgjeala deklaroi se ky projekt do të bëjë një lidhje mes studentëve dhe bizneseve.

“Ky projekt do të lidh studentët e UP-së me ata të RIT dhe me bizneset. Është shumë e rëndësishme që të ketë diçka të tillë. Jo vetëm që do të ndahen përvojat por do të bashkërendohen ato”, tha ajo.

Back to top button