Mospajtime rreth statusit të punëtorëve të arsimit gjatë viteve të '90-ta

Mospajtime rreth statusit të punëtorëve të arsimit gjatë viteve të ’90-ta

Anëtarët e Komisionit për Integrime Evropiane kanë diskutuar Projektligjin për statusin e punëtorëve të arsimit shqip të Republikës së Kosovës gjatë viteve të 90-ta. Ndonëse patën vërejtje se po e rëndon buxhetin e Kosovës, me vota unanime ata e kanë dërguar në Kuvend këtë projektligj.

Milaim Zeka, anëtar i këtij komisioni nga radhët e Nismës Socialdemokrate, u shpreh se disa projektligje që po votohen në Kuvend, duke përfshirë edhe atë të punëtorëve të arsimit të viteve të 90-ta, po e rrezikojnë buxhetin e Kosovës.

Ndonëse e përkrahu këtë ligj,  Zeka e ka konsideruar absurd të madh që persona që kanë kryer funksione politike si për shembull kryetari i Kuvendit të marrin benificione gjatë gjithë jetës.

“Kemi disa kërkesa dhe projektligje që seriozisht e rrezikojnë buxhetin e shtetit të Kosovës dhe ma merr mendja se nëse vazhdojmë me këtë ritëm ne kemi shumë shpejt ta bankrotojmë komplet shtetin e Kosovës. Kam vërejtur një etje të jashtëzakonshme të shoqata të ndryshme, të organizatave të ndryshme, të sindikatave të ndryshme që kanë një etje vetëm për rritjen e rrogave pa u bazuar në mundësitë tona reale. Janë dy mijë persona në Kosovë që më së shumti i kushtojnë buxhetit të Kosovës me privilegjet e tyre, për shembull për mua është absurde edhe e palogjikshme që njerëzit që kanë bartur funksione të ndryshme me pas privilegje deri në vdekje mund të kesh privilegj 5 vjet deri ta gjesh një vend pune, por që të kenë kryetarët e parlamenteve shoferë, asistent, zyre, rrogë deri në vdekje”, u shpreh ai.

Visar Ymeri nga PSD-ja, deklaroi se ky projektligj nuk i takon fare fushëveprimit të këtij komisioni, dhe se është barrë e Komisionit për Buxhet dhe Financa. Sipas tij, është e nevojshme të krijohet një kod pensional dhe në këtë mënyrë të rregullohet çështja e pensioneve në Kosovë.

Ymeri lidhur me projektligjin për statusin e punëtorëve të viteve të ’90-ta u shpreh se është tejet e nevojshme t’u njihet stazhi i punës.

“Mendoj që është gabim në përgjithësi jo vetëm për kategorinë të cilën po flasim që të kemi skema të ndryshme pensionale, dhe kështu ta parcionalizojmë të drejtën e pensionit. Duhet çështja e pensioneve të zgjidhet me kod pensional në të cilën përmblidhen të gjitha kontributet e ndryshme që i ka dhënë cilido prej qytetarëve në etapat e ndryshme profesionale e aktivizimit publik, dhe kjo pastaj për kontribute të ndryshme të grumbulluara ta japin edhe një pension, një benefit pensional, i cili do të ishte i konsoliduar. Pra, mendoj se vetëm kështu do krijonim një skemë e cila mund të duket komplekse por që do të garantonte një barazi më të madhe të qytetarëve”, u shpreh ai.

Anëtarja e këtij komisionit nga Lëvizja Vetëvendosje, Fatmir Kollçaku u shpreh se mungesa e sistemit pensional po krijon probleme.

“Mungesa e një reforme të sistemit pensional krijon aktualisht probleme dhe rritjen e presionit sidomos nga punëtorët e arsimit, sepse faktikisht shumica prej tyre nuk po arrijnë t’i realizojnë 15 vjet stazh pune para luftës, ku komplet sistemi pensional pas lufte faktikisht asnjëri nga ne nuk kemi stazh pune”, tha ajo.

Ismet Beqiri nga Lidhja Demokratike e Kosovës ka përkrahur Projektligjin për punëtorët e arsimit gjatë viteve ‘90, por ka konsideruar se buxheti i shtetit përmes dhënies së këtyre lloj benefiteve po rëndohet dhe në të ardhmen duhet pasur më shumë kujdes në këtë aspekt.

“Unë e mbështes këtë projektligj. Ne flasim, por nuk është punë votash këtu, por është punë e një kategori mjaft të madhe të shoqërisë të njerëzve tanë që kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm atyre viteve, dhe është e vërtetë se po të mos ishin ata njerëz dhe ai organizim sot kishim gjenerata të tëra analfabetësh, dhe si shenjë mirënjohje dhe respekti sigurisht që ne me një ligj të tillë duhet me ua njohur këtë kontribut, ndërkaq në një të ardhme gjithmonë ligjet mund të ndryshohen dhe plotësohen. Duhet të kemi kujdes që ta ruajmë buxhetin, por është dashur këtë punë ndoshta edhe më herët me e nis, sepse e kemi sakatuar buxhetin”, u shpreh ai.

Me vota unanime Komisioni për Integrime Evropiane  ka dërguar në Kuvendin e Kosovës edhe katër projektligje tjera pasi ka konstatuar se janë në përputhje me legjislacionin e Bashkimit Evropian.

Projektligjet e votuara janë ai për mbrojtjen e të dhënave personale, ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për parandalimin dhe sanksionimin e dhunës dhe dukurive negative në ngjarjet sportive, projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit të  sportit ndryshuar dhe plotësuar me ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për sport.