Publikohet raporti “Prokurorët në Kosovë ngrisin aktakuza ndaj të vdekurve”

Publikohet raporti “Prokurorët në Kosovë ngrisin aktakuza ndaj të vdekurve”

Vetëm gjatë dy viteve të fundit është një numër i konsiderueshëm i rasteve kur prokurorët e shtetit kanë ngritur aktakuza të personave të cilët kishin vdekur kohë më parë.

Ky është përfundimi i raportit “Prokurorët në Kosovë ngrisin aktakuza ndaj të vdekurve”, të Institutit të Kosovës për Drejtësi, raport i cili u publikua gjatë ditës së sotme.

Në këtë raport thuhet se në gjykatë, prokurorët kishin dorëzuar aktakuza të ngritura kundër personave të vdekur. E që kjo, sipas raportit dëshmon se procedurat e hetimeve nga prokurorët në vendin tonë nuk kryhen në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe standardet e kërkuara. Madje, thuhet se aktakuzat ngritën pa kryer hetime fare dhe as pa i dhënë mundësinë të dyshuarve që të deklarohen apo merren në pyetje lidhur me dyshimet e pretenduara në aktakuzë.

Në raport janë paraqitur 9 raste të shkeljes së ligjit në ngritjen e aktakuzave ndaj personave të vdekur, ku prokurorët kishin ngritur aktakuza për shkak të veprës penale vjedhje e shërbimeve komunale. IKD në këtë raport bënë të ditur se aktakuza ishin ngritur 13 vjet pas vdekjes së të pandehurit.

Drejtori ekzekutiv i IKD-së, Ehat Miftaraj, tha se raporti është rezultat i monitorimit të seancave gjyqësore në dy vitet e fundit, ku nga ky monitorim ka rezultuar se është një numër i konsiderueshëm i aktakuzave të ngritura ndaj personave të vdekur.

“Raporti rezultat i monitorimit seancave gjyqësore në dy vitet e fundit, ku IKD ka monitoruar mbi mijë seanca gjyqësore në të gjitha gjykatat e Kosovës. Përmes analizës së rasteve produkt i monitorimit sistematik të seancave gjyqësore IKD ka gjetur se vetëm gjatë dy viteve të fundit ka pasur një numër të konsiderueshëm të rasteve kur prokurorët e shtetit ngrisin aktakuza ndaj personave të cilët kanë vdekur kohë me parë. Kjo është si rezultat i ngritjes së këtyre aktakuzave pa zhvilluar hetime fare dhe pa u marrë në pyetje asnjëherë të pandehurin që është edhe si kriter i përcaktuar me kodin e procedurës penale të Kosovës”, u shpreh ai.

Arrita Rezniqi nga IKD, tha se vetëm gjatë dy viteve të fundit ka pasur një numër të konsiderueshëm të rasteve ku në shqyrtim fillestar gjyqtarët janë detyruar që ta peshojnë procedurën, për shkak se të akuzuarit kanë qenë persona të vdekur.

Sipas saj, ata kanë qenë të vdekur edhe para ngritjes së aktakuzës, që i bie që në Gjykatë, prokurorët kanë dorëzuar aktakuza të ngritura kundër personave të vdekur.

Rezniqi u shpreh se kjo dëshmon që procedura e hetimeve nga prokurorët në vendin tonë nuk kryhen në përputhje me standardet e kërkuara.

“Këto raste lidhen kryesisht me veprën penale vjedhja e shërbimeve komunale, të gjitha këto raste dëshmojnë faktin se këta persona janë përballur me aktakuza thjeshtë për faktin e vetëm se njehsori elektrik ka qenë i regjistruar në emrin e tyre, pa marrë parasysh kur thuhet se vepra penale është kryer në një kohë të caktuar ata kanë qenë veçse të vdekur në atë periudhë. Të pandehurve asnjëherë nuk iu është dhënë rasti që të deklarohen apo thjeshtë që ata të merren në pyetje për ato pretendime për të cilat thuhet në aktakuzë”, deklaroi ajo.

Ajo po ashtu tha se nëse do të kishte një hetim të mirëfilltë në rastet e identifikuara nga IKD në këtë raport në asnjë rast nuk do të vinte deri tek ngritja e aktakuzës.

Ndërkaq, Yll Zekaj nga IKD ka folur për pasojat që shkaktohen nga ngritja e aktakuzave të drejtpërdrejta, ku tha se dëshmohet që prokurorët nuk po zbatojnë parimet dhe standardet e garantuara me Kodin e Procedurës Penale me qëllim të realizimit të të drejtave të pandehurve në procedurën penale. Kjo sipas tij, shkakton cenimin e të drejtave dhe lirive të njeriut.

“Kemi pasoja edhe në buxhetin e shtetit kur e dimë se automatikisht në çdo rast të pushimit të procedurës nga ana e gjyqësorit, e që në këtë rast është e domosdoshme kur njëri prej të pandehurve gjendet që është i vdekur në procedurë dhe nuk mund të zhvillohet procedura. Atëherë me pushimin e procedurave dëmtohet drejtpërdrejtë edhe buxheti i shtetit. Përveç dëmtimit të buxhetit të shtetit kemi edhe pasoja të tjera që faktikisht kemi edhe uljen e reputacionit të gjyqësorit, pastaj mosbesimi e gjyqësorit nga ana e qytetarëve dhe dëmtimin e pasigurisë juridike të gjyqtarëve që është një prej elementeve kryesore që qytetarët sot janë plotësisht të pasigurt në aspektin juridik”, tha ai.

IKD ka publikuar edhe tri rekomandime ku bëhet ftesë që prokurorët të sigurohen që të mos cenojnë sigurinë juridike të qytetarëve të Kosovës dhe të zbatojnë në praktikë dispozitat ligjore që garantojnë të drejtat e të pandehurve në procedurë penale.

Rekomandim tjetër është që prokurorët t’i shmangen praktikës së krijuar për ngritjen e aktakuzave të drejtpërdrejta, pa zhvillimin e hetimeve dhe pa marrjen në pyetje të të pandehurve, duke u mjaftuar me përmbushjen e kriterit formal, atë të dënueshmërisë së veprës deri në tre vjet burgim.

IKD rekomandoi që gjykata t’ia kthejë në plotësim prokurorisë aktakuzat e tilla dhe në rast të mosplotësimit të të njëjtave, t’i hedhë ato si të parregullta.