Sipas raportit gjykatat të cilat vazhdojnë të kenë më shumë probleme janë ato në Prishtinë

Sipas raportit gjykatat të cilat vazhdojnë të kenë më shumë probleme janë ato në Prishtinë

​Instituti i Kosovës për Drejtësi ka publikuar raportin “Krimet e përgjithshme në Kosovë, ligji vs praktika”, ku u tha se gjatë tri viteve të fundit ka një efikasitet nëpër gjykata sa i përket rasteve penale, por dukuri shqetësuese është fakti që prokurori i shtetit në raste të rralla kërkon konfiskimin e dobisë pasurore i cili është produkt i veprës penale.

Ky raport i cili është përkrahur nga Departamentii i Shtetit Amerikan – Byrosë së Narkotikëve Ndërkombëtar dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit (INL) dhe NED-it, fokusohet në trajtimin e rasteve penale në të gjitha gjykatave themelore, në tërë territorin e Kosovës, përfshirë edhe degët e tyre gjatë periudhës kohore 2018 dhe gjashtë mujori i parë 2019.

Drejtor ekzekutiv i Instituti i Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, tha se nga raportet del se gjykatat në Mitrovicë janë ndër më të mirat, kurse, gjykatat të cilat vazhdojnë të kenë më shumë probleme janë ato në Prishtinë.

“Gjykatat e Kosovës, departamentet e Kosovës janë në gjendje shumë më të mirë në raport me departamentet tjera apo me fushat tjera si është ai civil administrativ apo krimet e rënda. Të gjeturat e IKD-së tregojnë se efikasiteti në këto departamente është shumë i mirë në raport me fushat e tjera, ku duhet të theksohet që prokuroria dhe gjykatat në Mitrovicë janë ndër prokurorit dhe gjykatat më efikase dhe përafërsisht 100 përqind efikasitet kundër rasteve që i trajtojnë, përderisa problemet kryesore vazhdojnë të jenë në Prishtinë. Të gjeturat e raportit nga IKD, tregojnë se përsëri kemi të bëjmë me problemin e parashtrimit të lëndëve, vetëm gjatë kësaj periudhe kohore janë identifikuar 2 mijë e 843 lënde të cilat janë parashtruar nga gjykatat e territorit të Kosovës”, tha Miftaraj.

E hulumtuesja nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, Gzime Hashani tha se sa i përket efikasitetit në gjykatat e Kosovës, vërehet një rritje relative të efikasitetit gjatë tri viteve të fundit, pasi që në vitin 2016, gjykatat kishin arritur të zgjidhnin 34 përqind të lëndëve në vitin 2017, ky numër ishte rritur për 36 përqind dhe në vitin 2018 në 37.5 përqind.

“Problematik kryesore me të cilën përballët sistemi jonë i drejtësisë është ngarkesa shumë e madhe që gjykatat tona kanë me lëndët. Në këtë drejtim Këshilli Gjyqësor i Kosovës në vitin 2013, kishte hartuar strategjinë kombëtare për reduktimin e lëndëve të vjetra. Po ashtu një vit më vonë kishte hartuar edhe planin strategjik të gjyqësorit për vitin 2014 -2019, i cili kishte për qëllim reduktimin e numrit të lëndëve të vjetra por që në këtë drejtim këto politika të hartuara nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës kishin mbetur vetëm politika në letër të cilat asnjëherë nuk ishin zbatuar. Sa i përket efikasitetit vërejmë një rritje relative të efikasitetit gjatë 3 viteve të fundit pasi që në vitin 2016 gjykatat kishin arritur të zgjidhnin 34 për qind të lëndëve në vitin 2017 ky numër ishte rritur për 36 për qind dhe në vitin 2018 në 37.5 për qind, pra këtu shihet një rritje relative e numrit të efikasite tit në zgjidhjen e lëndëve. Këto shifra kanë ardhur si rezultat i rritjes së numrit të gjyqtarëve ku në nivel të vendit sistemit gjyqësor ju kanë shtuar 17 gjyqtarë”, tha Hashani.

Hulumtuesja tjetër nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, Mirvet Thaqi, tha se Prokuroria e Kosovës duhet të jetë më aktive dhe të kërkojë konfiskim të pasurisë së kundërligjshme.

“Institucioni i prokurorit të shtetit, ka vetëm një numër të vogël të rasteve ku ka kërkuar konfiskimin e dobisë pasurore i cili është produkt i veprës penale dhe kjo është me të vërtetë një dukuri shqetësuese, pra rezulton që vetëm në 53 raste institucioni i prokurorit të shtetit ka kërkuar konfiskim të kësaj dobie pasurore e cila është përfituar në mënyrë të kundërligjshme ndërsa nuk ka kërkuar konfiskim në 1 mijë 962 raste të tjera, andaj kërkohet që në këtë aspekte kërkohet që prokurori i shtetit të jetë më aktivë dhe të kërkojë konfiskim të kësaj dobie pasurore në të gjitha rastet kur si rezultat i veprës penale është arritur që të përfitohet dobi pasurore e kundërligjshme”, shtoi Thaqi.

IKD gjatë kësaj periudhe kohore ka monitoruar gjithsej 2,694 seanca ku përfshihen 2,015 lëndë penale. Ndër problemet më të mëdha në këtë departament shfaqet dukuria e parashkrimit të lëndëve.