Detaje të aksionit të sotëm në veri të Mitrovicës

Detaje të aksionit të sotëm në veri të Mitrovicës

Një person është arrestuar dhe një tjetër është në kërkim, persona të cilët dyshohen që kanë lidhje me vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviq.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani në një konferencë për media tha se personi tjetër i cili është arrestuar sot, dyshohet për armëmbajtje pa leje.

“Në orët e hershme të mëngjesit, në Veri të Mitrovicës Policia e Kosovës ka realizuar një operacion policor i cili ndërlidhet me rastin e vrasjes se z. O. Ivanoviq. Ky operacion policor është realizuar në bazë të urdhëresës për kontroll të lëshuar nga Gjykata Themelore , Departamenti Special, i cili ka rezultuar me arrestimin e një personi te dyshuar zyrtar policor i nacionalitetit serb ( R. B. ) i përfshirë në urdhër kontroll, përderisa i dyshuari tjetër po ashtu pjesëtar policor mbetet në kërkim”, tha Kelani.

Po ashtu ai bëri të ditur se në aksion kanë qenë të përfshirë 100 pjesëtarë të Policisë së Kosovës, ndërsa sipas tij janë sekuestruare 6 armë dhe paisje të ndryshme elektronike.

Në anën tjetër, prokurori Sylë Hoxha në konferencën e përbashkët me Policinë e Kosovës tha se ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë që të caktohet masa e paraburgimit për R.B.

Ne i kemi zgjeruar hetimet për veprat penale pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal dhe keqpërdorim i pozitës ose detyrës zyrtare. Gjatë këtij aksioni një person zyrtar policor është hasur dhe është arrestuar. E kam intervistuar dhe kam parashtruar kërkesën për caktimin e paraburgimit. Një person tjetër që nuk ka qenë në urdhëresën e gjykatës i është gjetur një pistoletë, ai dyshohet për armëmbajtje pa leje dhe është liruar pas intervistimit”, tha Hoxha.

Ai shtoi se grupi Millan Radijoqiqit është mirë i organizuar dhe ka ndikim edhe në Policinë e Kosovës në veri dhe në institucione.

“Personi i arrestuar sot është hetues dhe ne dyshojmë se ka punuar në mënyrë selektive dhe me direktiva të dikujt tjetër. Ka pasur raste kur i kanë kryer hetimet shpejt e shpejt, ka pasur raste kur nuk janë ndërmarrë veprimet e nevojshme”, tha ai.

Hoxha po ashtu foli edhe për raportimet në mediat serbe të cilat aksionin në veri e lidhën me mospranimin e Kosovës në Interpol. Prokurori Hoxha mohoi një gjë të tillë. “Po shkruajnë disa mediume serbe se ky aksion i sotëm ka qenë si kundërvënie se Kosova nuk po hyn në Interpol s’di çka. Du me ju thanë sinqerisht nuk e kam ditë kur mbahet kjo konferencë, na e kemi atë orarin tonë të punës ashtu si i grumbullojmë provat, i planifikojmë parashtrohet një kërkesë, merret vendimi për diçka të tillë, kështu që ato janë vetëm thënie tyre, manipulime.”, tha ndër tjerash Hoxha.

Politikani serb Oliver Ivanoviq ishte vrarë me 16 janar 2018 para selisë së partisë së tij në veri të Mitrovicës./21Media