"Fotografisë do t’i bëhet ekspertizë kibernetike nga Agjencia e Forenzikës"

“Fotografisë do t’i bëhet ekspertizë kibernetike nga Agjencia e Forenzikës”

Një fotografi e publikuar nga deputetja e PDK-së, Flora Brovina, të cilën e prezantoi si skenë dhunimi gjatë luftës në Kosovë, do t’i nënshtrohet ekspertizës. Kështu vendosi Prokuroria Speciale, pasi u vënë dyshime mbi autencitetin e fotografisë së publikuar.

Prokurorja Speciale, Drita Hajdari tha për KALLXO.com se do të bëhet krahasimi i fotografisë së prezantuar me ato online. “Fotografisë do t’i bëhet ekspertizë kibernetike nga Agjencia e Forenzikës për të parë autenticitetin e saj dhe krahasuar me fotografitë e shfaqura nga luftërat e Irakut”, tha Hajdari.

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës publikoi sot një foto, në të cilën shihet një grua teksa dhunohet nga disa ushtarë. Deputetja Flora Brovina këtë fotografi e prezantoi si dëshmi të dhunimit të grave gjatë luftës në Kosovë.

Megjithatë, në një kërkim në Google, e njëjta fotografi paraqitet online, madje me një faqe me përmbajtje pornografike, raporton kallxo.com

Publikimi i fotografisë sot nga Flora Brovina është kritikuar ashpër nga deputetë, aktivistë, e shoqata të ndryshme. Ndërkaq, Prokuroria Speciale ka bërë të ditur se do të nis hetime në bazë të kësaj fotografie dhe do të marrë në pyetje deputeten për dëshmitë e saj.

Ndërkohë, deputetët e Kuvendit të Kosovës sot votuan një rezolutë për gjenocidin serb të kryer gjatë luftës në Kosovë. Rezoluta u votua me votat e 79 deputetëve.