Tetë persona u ndaluan nga policia në Shtërpcë, të cilët u shoqëruan për në polici

Tetë persona u ndaluan nga policia në Shtërpcë, të cilët u shoqëruan për në polici

Prokuroria në Ferizaj mohoi se ka arrestuar tetë persona për shkak të dyshimit se kanë përgatitur ngritjen e një droni me flamuj serb gjatë ndeshjes së ditës së nesërme ndërmjet Kosovës dhe Çekisë.

Kryeprokurori i Ferizajt, Shukri Jashari për kallxo.com tha se lajmi për ndalimin është i rremë, ndërsa sqaroi se si ka rrjedhur rasti.

Kryeprokurori Jashari tha se policia kishte marrë informacion për një veturë të dyshuar, nga ku pas ndalimit të veturës ka identifikuar tetë persona shtetas të huaj.

“Tetë persona janë ndaluar nga ana e policisë në Shtërpcë, të njëjtit janë identifikuar dhe janë shoqëruar për në polici. Gjatë kontrollit të tyre dhe makinës së tyre, janë gjetur disa pajisje si një dron, thika të vogla, motorolla, flamuj të Serbisë, maica me fotografi të Vladimir Putinit. Gjithashtu te njëri nga këta shtetas të huaj është gjetur edhe një biletë për ndeshjen e cila pritet të zhvillohet nesër në stadiumin “Fadil Vokrri””, sqaroi Kryeprokurori Jashari për kallxo.com.

Kryeprokurori tregoi se ka udhëzuar policinë që t’i intervistojë këta persona.

“Siç kam marrë edhe informatat nga policia, shtetasit kishin ardhur për vizitë, pas Shtërpcës ata do të shkonin në Hoçë. Unë i kam udhëzuar që të shikojnë se kur kanë hyrë në Kosovë shtetasit e huaj. Jam lajmëruar nga ta që tetë shtetasit e huaj kanë hyrë në Kosovë më 2 shtator dhe nuk kanë qenë të lajmëruar askund për vendqëndrimin e tyre, këtë e kanë obligim pasi duhet të lajmërohen ku qëndrojnë”, shtoi tutje Jashari.

Ai tregoi se nga tetë shtetasit e huaj, gjashtë janë burra dhe dy gra, shtatë nga ta janë shtetas çekë e një shtetas serb.

“Sipas procedurave policore, të njëjtit ka qenë dashur të lajmërojnë adresat e vendbanimit që nga hyrja në Kosovë. Kam kërkuar që policia të shikojë edhe në Drejtorinë e Emigrimit. Nga ata të fundit kemi marrë informacion se nuk ka pasur ndonjë njoftim për vendqëndrim dhe se shtetasit e huaj do të duhej të dënoheshin me gjobë”, tregoi më tutje Jashari.

Tetë shtetasve të huaj u është sekuestruar pasaporta përkohësisht deri në momentin e pagesave të gjobave të shqiptuara, raporton kallxo.com.