Prokuroria jep detaje lidhur me rastin e abuzimit seksual të të miturës në Drenas

Vajza dha dy deklarata kontradiktore

Prokuroria Themelore në Prishtinë, bën të ditur se prokurori në rastin e abuzimit seksual të 16-vjeçares nga Drenasi vitin e kaluar ka pasur dy deklarata kontradiktore nga e dëmtuara, me të cilën kërkon që të iniciohet procedurë hetimore ndaj të dëmtuarës, në drejtim të veprës penale, lajmërimi apo kallëzimi i rremë, dhe kërkon që ky shënim zyrtar të konsiderohet kallëzim penal. Në atë kohë prokurori kishte marrë aktvendim për pushimin e hetimeve ndaj mësuesit Sh.Xh.

Prokuroria ka njoftuar opinionin lidhur me rastin për dyshim të keqpërdorimit seksual ndaj të miturës nga Drenasi, se ka pranuar kallëzim penal më 21.09.2017, kurse prokurori i çështjes ka marrë aktvendim për fillimin e hetimeve më 10.01.2018.

Në njoftimin për media thuhet se prokurori i çështjes, me rastin e intervistimit të dëmtuarës së mitur më 11.01.2018, fillimisht e ka njoftuar të njëjtën me të drejtat e saj në praninë e përfaqësuesit ligjor babait, mbrojtësit të viktimave, avokatit sipas detyrës zyrtare, si dhe, avokatit me autorizimin e të dyshuarit.

Gjatë intervistimit të së miturës, është vërejtur se e njëjta e ka mohuar në tërësi deklaratën e dhënë në Policinë e Kosovës, më 14.09.2017, me të cilën deklaron se, gjatë gjithë kohës ka pasur keqpërdorim seksual nga i dyshuari, Sh. Xh.

“Përkundër insistimit të vazhdueshëm të prokurorit që e dëmtuara ta thotë të vërtetën, dhe nëse e bën të kundërtën, prokurori do të ushtrojë kallëzim penal ndaj saj, për deklarim të rrejshëm, ajo me çdo kusht i ka refuzuar të gjitha deklarimet e mëparshme, me arsyetimin se deklarata e parë e dhënë në Policinë e Kosovës, ka qenë në tërësi e trilluar”, thuhet në tej në komunikatë.

Sipas komunikatës, me qëllim të grumbullimit të provave gjatë fazës së zhvillimit të hetimeve, prokurori i rastit, në bazë të kërkesën së tij, ka pranuar nga Departamenti për Mjekësi Ligjore, Ekzaminimin Gjinekologjik-Fizik për të dëmtuarën, të datës 15.09.2017. Po ashtu, prokurori i çështjes, ka intervistuar të dyshuarin, Sh.XH., më 11.01.2018, i cili ka mohuar pretendimet e deklaruara nga e dëmtuara, në deklaratën e parë të dhënë në polici.

Bazuar në rezultatet e të gjitha këtyre veprimeve hetimore, prokurori i rastit merr aktvendim për pushimin e hetimeve, me arsyetimin se ka pasur dy deklarata kontradiktore, dhe ekzaminimi mjeko-ligjor nuk ka rezultuar me ndonjë rezultat konkret, duke ardhur kështu në përfundim se në veprimet e Sh. Xh., nuk qëndrojnë elementet inkriminuese për veprën penale, keqpërdorim seksual.

Ndërsa, për rastin e dytë që është duke u zhvilluar procedurë penale në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, në të cilën çështje penale është e dëmtuar e njëjta, prokuroria bën me dije se do ta mbajë të informuar opinionin për ecurinë e rrjedhës së procedurës./21Media

Back to top button