Gucati: Prokuroria ka kërkuar listat e veteranëve

Gucati: Prokuroria ka kërkuar listat e veteranëve

Prokuroria e Kosovës pas një viti vonesë, tashmë ka filluar me hetimet për keqpërdorimet eventuale me listat e veteranëve të cilat pas luftës në Kosovë nxorën në “sipërfaqe”, 46 mijë veteranë.

Prokuroria përveç që ka trokitur në derën e Organizatave të dala nga lufta (OVL-UÇK), ajo ka nis bashkëpunimin me Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Izedin Bytyqi, sekretar në MPMS për Indeksonline ka thënë se prokuroria ka kërkuar bashkëpunimin e ministrisë në lidhje me mbledhjen e dëshmive për listat e veteranëve.

“Prokuroria ka kontaktuar me ministrin dhe ka kërkuar bashkëpunimin e ministrisë në këtë proces”, ka thënë shkurt Bytyqi.

Sa i përket listave të veteranëve ai ka thënë, ato gjenden të Komisioni Qeveritar.

“Komisioni qeveritar i ka dorëzuar raportin në Qeveri në të cilën iu është njohur statusi i veteranit luftëtar, 46 mijë veteranëve”, është shprehur me tutje Bytyqi.

Ndërsa, kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati është shprehur se Prokuroria që disa ditë ka dërguar inspektor me ç’ rast ka kërkuar listat e veteranëve, të cilat thotë se nuk i ka.

“Listat e veteranëve për të cilat ka nisur hetimet prokuroria, nuk i kemi. Ato gjendet të komisioni qeveritar të cilat nuk i ka sjellë në organizatë”, ka thënë Gucati.

Prokuroria dy ditë më parë ka konfirmuar që ka nis hetimet për këto lista, përkatësisht mbledhjen fakteve dhe dëshmive.

Ata janë shprehur se dëshmitë nga hetimet mund t’ia ndryshojnë statusin dikujt, ku edhe do të ketë zvogëlim të numrit të veteranëve.

Vitin e kaluar Qeveria pati publikuar numrin prej 46 mijë veteranë, ku kjo temë ngjalli shumë debat në lidhje me keqpërdorimet e këtij statusi për marrje të një pensioni.

Edhe FMN ka reaguar ndaj numrit të madh të veteranëve duke ka thënë se ky numër i madh i veteranëve të UÇK-së ka tejkaluar edhe paratë e planifikuara në buxhet për afro 40 milionë euro.