Prokuroria kërkon paraburgimin e profesorit nga Vushtrria

Profesori dyshohet se ngacmoi seksualisht një nxënëse

Prokuroria e Mitrovicës ka dorëzuar kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit H. A., i arrestuar ditën e djeshme nën dyshimet për ngacmim seksual. Zëdhënësi i prokurorisë në Mitrovicë, Valon Preteni ka thënë për kallxo.com se ndaj të dyshuarit prokuroria ka bërë kërkesë për caktimin e masë së paraburgimit, e cila gjatë ditës do të dorëzohet në gjykatë.

“Prokuroria e Mitrovicës ka bërë kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit, e cila gjatë ditës do të dorëzohet në gjykatë. Vepra për të cilën dyshohet është sulm seksual ndaj dy të miturave”, tha Preteni.

Mësimdhënësi H. A. është arrestuar ditën e djeshme nën dyshimet për ngacmim seksual ndaj një nxënëse në gjimnazin “Eqrem Qabej” në Komunën e Vushtrrisë.Një prind bashkë me vajzën e tij kanë denoncuar rastin në shkollë, ndërsa drejtori i shkollës ka njoftuar policinë.

“Me rastin e denoncimit menjëherë e kam ftuar arsimtarin e lëndës, e kam lajmëru policinë”, ka thënë Lulzim Bivulaku, drejtori i gjimnazit “Eqrem Qabej”.

Sipas Drejtorit të Arsimit, Afrim Namani ka konfirmuar se prindi ka denoncuar mësimdhënësin e vajzës së tij.

“Rasti ka ndodhur dje, ka ardhur një prind bashkë me vajzën e tij që është nxënëse e klasën së dhjetë këtu në gjimnaz. Prindi ka pretenduar në bazë të deklarimit të tij që vajza e tij është ngacmu nga mësimdhënësi i edukatës fizike, të njëjtën deklaratë e ka konfirmuar edhe nxënësja”, tha Namani.

Pas intervistimit mësimdhënësi është ndalur në stacion policor për 48 orë.

“Mund të konfirmojmë se i dyshuar është arrestuar nën dyshimin për ngacmim seksual. Rasti është në procedurë hetimore, përderisa i dyshuari është dërguar në ndalim për 48 orë”, ka thënë zëdhënës i Policisë në rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti.Ndërsa, Drejtoria e Arsimit kanë paralajmëruar se do të ndjekin masat ligjore për të ndëshkuar profesorin.

“Masat tona do të jenë, masat disiplinore qysh i para sheh ligji. Sigurisht më e pakta do të jetë pezullim i përkohshëm deri në një vendim final nga organet e drejtësisë”, ka thënë Afrim Namani.

Mësimdhënësi i edukatës fizike, H. A. në zgjedhjet lokale të vitit 2017 ka kandiduar për asamblist në Komunën e Vushtrrisë nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, kjo e fundit ka njoftuar se të dyshuarin H.A e ka pezulluar nga pozita e anëtarit të partisë./kallxo.com

Back to top button