"...është një konstatim i pavërtetë, tendencioz dhe propagandues..."

“…është një konstatim i pavërtetë, tendencioz dhe propagandues…”

Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka reaguar ndaj Lëvizjes Vetëvendosjes, e cila ka paralajmëruar të mbajë protestë më 26 prill para objektit të Prokurorisë së Shtetit.

Në komunikatën e dërguar, Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit e ka quajtur konstatim të pavërtetë, tendencioz dhe propagandues atë se “… i merr shtatë rroga”, duke iu referuar Kryeprokurorit.

Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit sqaron se njoftimi zyrtar i subjektit politik “Vetëvendosje” për mbajtjen e protestës para objektit të Prokurorisë së Shtetit, ku ndër të tjera thuhet se “…i merr shtatë rroga”, duke iu referuar Kryeprokurorit të Shtetit është një konstatim i pavërtetë, tendencioz dhe propagandues që kanë për qëllim dëmtimin e autoritetit dhe prestigjit të Kryeprokurorit të Shtetit.“, theksohet në komunikatën e dërguar.

Më tutje, siç theksohet se Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi e ushtron vetë pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit.

Njoftojmë opinionin publik se, Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, si funksion primar e ushtron vetëm pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit, ndërsa, sipas ligjeve në fuqi, përveç pozitës primare, Kryeprokurori i Shtetit “ex officio” sipas detyrës zyrtare, e ka për obligim të jetë i angazhuar edhe si anëtar i bordeve institucionale të fushës së drejtësisë dhe sigurisë, përkatësisht mekanizmave që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit. Andaj, Kryeprokurori i Shtetit nga buxheti i shtetit e merr vetëm një rrogë“, bëhet e ditur në komunikatë.

Prandaj, ushtrimi i funksionit të Kryeprokurorit të Shtetit dhe angazhimet e tjera publike janë obligime ligjore, të cilat dalin nga ligjet e miratuara në Kuvendin e Kosovës.

Në komunikatë gjithashtu shkruhet që prokurori i shtetit e respekton të drejtën kushtetuese të secilit individ apo grupi të caktuar për të protestuar, mirëpo sipas tyre nuk do të lejojë që konstatimet e pavërteta dhe tendencioze të shndërrohen në kauza të rreme të individëve, subjekteve politike apo grupeve të caktuara të interesit.

Lëvizja Vetëvendosje ka paralajmëruar protestë paqësore më 26 prill, kundër kryeprokurorit të shtetit, Aleksandër Lumezi, pasi me këtë kryeprokuror, sipas tyre shteti i Kosovës nuk është Republikë, por Lepurblikë./21Media