Dyshohet për presion te punëtorët për vota

Dyshohet për presion te punëtorët për vota

Prokuroria Themelore në Prishtinë njoftoi se pas deklaratave publike të biznesmenit, Ramiz Kelmendi, se është duke kërkuar votën nga të punësuarit në kompaninë e tij, me qëllim të favorizimit dhe votimit për njërën nga partitë politike të Kosovës, ka ndërmarrë veprime përkatëse hetimore, duke e iniciuar si rast paraprak penal, lidhur me veprën penale “Cenimi i paracaktimit të lirë të votuesve” nga neni 210 të KPK-së.

Paraprakisht Kelmendi kishte sqaruar se ai është në mbështetje te Kadri Veselit dhe PDK-së për të fituar zgjedhjet.

“A ka më kënaqësi se të kërkosh votë në kompaninë e vet dhe atë, votë vetëm vullnetare!”, kishte thënë ai.

Po ashtu, Prokuroria Themelore në Prishtinë përmes një komunikate për media ka njoftuar se ka iniciuar edhe një rast tjetër për hetim, në bazë të qarkullimit të një video-incizimi, ku vërehet një person, i cili dyshohet se përmes një pakoje të shoqatës humanitare “Nëna dhe fëmijë të lumtur”, është duke zhvilluar aktivitet politik në lidhje me zgjedhjet parlamentare.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka autorizuar Policinë e Kosovës, në ndërmarrjen e veprimeve përkatëse hetimore, me qëllim të sqarimit dhe identifikimit të personave të implikuar në këto raste.