A.M. po dyshohet për vrasjen e vëllait të tij, N.M.

A.M. po dyshohet për vrasjen e vëllait të tij, N.M.

Prokuroria e Gjakovës ka bërë kërkesë që ndaj të pandehurit A.M. gjykata të vendosë masën e paraburgimit.

A.M. po dyshohet për vrasjen e vëllait të tij, N.M. Vrasja ka ndodhur në muajin maj 2019 në fshatin Qifllak të Rahovecit.

Në kërkesën e Prokurorisë për caktimin e paraburgimit ndaj të dyshuarit shkruhet se ai ka kryer veprat penale – vrasje e rëndë dhe armëmbajtje pa leje.

Prokuroria pretendon se A.M. e vrau vëllain e tij N.M., 33-vjeçar, duke e qëlluar në gjoks me armë.

“Me datë 8 maj 2019 në mes të orës 22:00 e deri në ora 03:00 të datës 9 maj, në shupën e katit të parë të shtëpisë, me dashje dhe për motive të panjohura, me një të shtënë të armës në gjoks, ka privuar nga jeta vëllaun e tij N.M.”, bëhet e ditur në kërkesën e Prokurorisë drejtuar Gjykatës së Gjakovës për caktimin e masës së paraburgimit.

Në kërkesë shkruhet se sipas raportit të autopsisë kishte rezultuar se viktima kishte pasur gjakderdhje të brendshme në regjionin e zemrës. Prokurori Ali Uka kërkesën për caktimin e paraburgimit e kishte arsyetuar me faktin se nëse A.M. do të lihet në liri ka rrezik që ai të ikë nga Kosova, të ndikojë te dëshmitarët dhe provat e rastit si dhe të kryejë ndonjë vepër tjetër penale.

Në njoftimin e ditës së djeshme nga Prokuroria, për këtë rast është kërkuar caktimi i masës së paraburgimit në afat prej 30 ditësh./kallxo.com