“Ose të shkojë në privatizim ose të ndërrohet komplet menaxhmenti"

“Ose të shkojë në privatizim ose të ndërrohet komplet menaxhmenti”

Kërkesa e Telekomit të Kosovës për ndarjen e 5 milionë eurove si masë “për të siguruar funksionimin normal dhe pa rrezikun e falimentimin, është refuzuar sot në mbledhjen e Qeverisë në detyrë.

Rreth këtij propozimi reagoi ministri në detyrë i Financave, Lulzim Rafuna, i cili tha se nuk ka mjete në këto rrethana buxhetore.

Për këtë çështje, njohës të ekonomisë thonë se edhe po të kishte mjete, nuk do të ishte e arsyeshme që ato të ndahen për Telekomin e Kosovës, madje kërkohet hetim ndaj menaxhmentit dhe bordit për rrethanat e krijuara në Telekom.

Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, në mbledhjen e sotme të Qeverisë, ka propozuar që Telekomit t’i ndahen 5 milionë euro. Por, pas reagimit të ministrit Rafuna, tha se zgjidhja më e mirë është për me shtyrë për një takim të radhës derisa të analizohet kjo çështje që u ngrit nga ministri në detyrë Lulëzim Rafuna.

Zyra e kryeministrit ka pranuar një shkresë nga Bordi i Telekomit të Kosovës nëpërmjet së cilës është bërë kërkesë për rritjen e kapitalit të kompanisë në shumën prej jo më pak se 5 milionë euro si masë emergjente e detyrueshme për të siguruar funksionimin normal dhe pa e rrezikuar falimentimin e Telekomit të Kosovës”, tha Haradinaj.

Ministri Rafuna u shpreh i habitur për këtë kërkesë derisa tha se nuk mund të ndahen 5 milionë euro nga 1/12 e buxhetit 2019, sipas të cilit nuk ka mjete.

“Ministri i Zhvillimit Ekonomik të jep një pasqyrë më të qartë se në çfarë forme do t’i jepet ky 5 milionësh Vala-s në këtë rast dhe në çfarë forme do të realizohet. Gjithmonë jam duke folur në kushtet e buxhetit që jemi sot duke operuar me 1/12, sepse bëhet fjalë për 5 milionë që nuk mundet si shumë sot të barten te Vala. Por, kjo mos është menduar për buxhetin 2020 që është krejt çështje tjetër. Ndërsa, sot nuk kemi mjet për të marrë një vendim që nesër të bartet kjo shumë”, tha Rafuna.

Për njohësin e çështjeve ekonomike, Mustafë Kadriaj, është shqetësuese kërkesa e Telekomit për mjete financiare përderisa është ndërmarrje publike.

Krahas saj Kadriaj thotë për KP, se për gjendjen aktuale në Telekom, duhet të nisin hetimet ndaj menaxhmentit të kësaj kompanie.

“Ose të shkojë në privatizim ose të ndërrohet komplet menaxhmenti, sepse qëllimi i biznesit është që të jetë profitabil e jo të jetë barrë e sidomos barrë e arkës së shtetit. Pas lufte kjo si ndërmarrje ka qenë kontribuuese e arkës së shtetit dhe të vijë deri në një moment që të kërkojë vazhdimisht mjete shtesë për të tejkaluar krizën e saj është e pa kuptimtë, sepse dihet që është një ndër ndërmarrjet që ka më së shumti klientë. Është e pakuptimtë që kjo ndërmarrje të vijë para falimentimit. Kjo është për t’u shqetësuar që në këtë rast duhet të merren edhe organet kompetente të drejtësisë që të hapin si rast, se për çka është puna me këtë ndërmarrje, sepse është paradoksale kur mendohet”, deklaron Kadriaj.

Ai po ashtu deklaron se menaxhmenti, bordi dhe Qeveria duhet të japin llogari për këtë ndërmarrje publike që është në prag të falimentimit, e cila dikur ishte profitabile.

“Secili që ka pozitë menaxheriale, po ashtu edhe institucionet e caktuara, të cilat e mbikëqyrin duhet të japin llogari, sepse më së paku Kosova ka nevojë që të përkrahë një ndërmarrje, e cila gjithmonë kërkon mjete shtesë, sepse edhe situata politike dhe zhvillimi ekonomik nuk qëndron mirë. Ne kemi boll vende ku mund t’i drejtojmë të hollat dhe investimet, e më së paku  në një ndërmarrje siç është Telekomi, sepse ka qenë një ndërmarrja profitabile dhe e fuqishme”, tha ai.

Derisa përfaqësues të menaxhmentit dhe Bordit të Telekomit të Kosovës nuk janë përgjigjur pas letër-kërkesës për mundësinë e falimentimit të kësaj kompani publike, kreu i Sindikatës së punëtorëve në Telekom, Lamih Balaj nuk beson që Telekomi ndodhet para falimentimit.

Balaj ka thënë se gjendja në këtë kompani është e rëndë, por në asnjë formë nuk mund të vijë edhe deri te falimentimi i saj.

“Arsyeja e letër-kërkesës nga bordi, aq sa kam mundur të kuptojë është për implementimin e Country Kodit, dhe për investime në këtë ndërmarrje. Nuk besoj që Telekomi është në një gjendje para falimentimit, sigurisht që është gjendje e rëndë, por në asnjë formë nuk mund të falimentojë Telekomi. Kjo kompani ka qarkullim të vazhdueshëm të mjeteve”, tha Balaj.

Për pagat në këtë kompani, Balaj shprehet se janë realizuar pa asnjë problem, dhe se nuk priten telashe rreth kësaj çështje.