Prokuroria në aktakuzë pretendon se Fatmir Limaj i ka parë kufomat e viktimave dhe e ka ditur për krimin e kryer

Prokuroria në aktakuzë pretendon se Fatmir Limaj i ka parë kufomat e viktimave dhe e ka ditur për krimin e kryer

Prokurorja e Prokurorisë Speciale, Drita Hajdari, ka kërkuar sot nga Gjykata Themelore në Gjakovë që ta shpallë fajtor dhe ta dënojë Fatmir Limajn në akuzën për krime lufte.

Në seancën në të cilën është duke u dhënë fjala përfundimtare e palëve, Drita hajdari si prokurore e rastit, tha se Limaj, si i akuzuar kryesor në këtë rast, nuk ka ndërmarrë asgjë për ta ndaluar vrasjen e dy civilëve.

“Fatmir Limaj nuk ndërmori masa për ta ndaluar vrasjen e dy civilëve nuk e raportoi krimin as si drejtor i Policisë Ushtarake as si komandant i Brigadës 121. Ai ishte komandant brigade me autoritet të lartë në atë zonë kur është kryer krimi dhe ka qenë e pamundur që i akuzuari të mos ketë qenë në dijeni për vrasjen që është duke ndodhur, andaj propozoj që të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit për përgjegjësinë komanduese”, tha Drita Hajdari.

Në një këndvështrim më të gjerë, prokurorja tha se drejtuesit e UÇK-së nuk e kanë mbrojtur luftën gjatë këtij gjykimi.

“Ish komandantët e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së e patën rastin që në këtë gjykim ta pastrojnë luftën e UÇK, por këtë nuk e bënë duke zgjedhur të thonë se nuk e dimë, nuk kemi parë, nuk kemi dëgjuar”, tha Hajdari.

Aktakuza e ngarkon të pandehurin Fatmir Limaj se si pjesëtar i UÇK-së dhe komandant i Brigadës 121, nuk ka ndërmarrë masa të arsyeshme dhe të nevojshme brenda kompetencave të tij për ta parandaluar apo për të ndalur vrasjen e Ramiz Hoxhës dhe Selman Binishit.

Sipas Prokurorisë Speciale, Ramiz Hoxha nga fshati Bellanicë dhe Selman Binishi nga fshati Banjë, komuna e Malishevës, më 2 tetor 1998 janë marrë në afërsi të xhamisë së fshatit Bellanicë dhe janë ekzekutuar në hyrje të fshatit Kravasari.

Prokuroria në aktakuzë pretendon se Fatmir Limaj i ka parë kufomat e viktimave dhe e ka ditur për krimin e kryer, mirëpo me vetëdije nuk ka ndërmarr masa drejt zbulimit të kryesve të këtij krimi dhe rastin asnjëherë nuk e ka paraqitur te organet kompetente për hetim dhe ndjekje./kallxo.com