Promovohen prodhimet e Anamoravës

Pjesëmarrësit në këtë panairi janë ndarë të kënaqur

Gjilani ka brende jashtëzakonisht të fuqishme që shiten në tetë vende të Lindjes së Mesme dhe Lindjes së Afërt.

Kështu u tha sot në hapje të panairit të Anamoravës në sheshin “Agim Ramadani” në Gjilan, i cili ka për qëllim promovimin e prodhimeve të kësaj ane.

Kryetari i komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri tha se këtë vit është hapur panairi i Anamoravës me brendin e ri me prodhimet e Anamoravës, “Made in Anamorava”.

“Gjilani ka brende jashtëzakonisht të fuqishme që shesin në tetë vende të Lindjes së Mesme dhe Lindjes së Afërt. Në muajin e mërgatës ne organizojmë këtë aktivitet me i njoftuar mërgimtarët me produktet vendore dhe për t’i favorizuar këta prodhues”, tha ai.

Ndërsa, drejtori i Zhvillimit Ekonomik, Agim Zuzaku tha se qëllimi i këtij projekti është zhvillimi i produkteve nga Anamorava dhe fermerët kanë mundësi t’i shesin produktet e tyre të freskëta.

Pjesëmarrësit e këtij panairi janë ndarë të kënaqur me organizimin dhe kërkuan që ky panair të organizohet së paku dy herë brenda vitit. Në panair po marrin pjesë prodhues të prodhimeve vendore të pemëve, perimeve, prodhimeve të qumështit, pijeve të ndryshme, mishit, veshjeve tradicionale.

Panairi me produkte të Anamoravës organizohet tradicionalisht çdo vit dhe këtë vit do të zgjasë dy ditë.

Back to top button