Një dhuratë e mirë për lexuesit dhe mesazh i mirë për të gjitha familjet

Një dhuratë e mirë për lexuesit dhe mesazh i mirë për të gjitha familjet

Në Bibliotekën “Pjetër Bogdani” në Prishtinë sot është promovuar libri i Hava Kurti-Krasniqit “Legjendat e futbollit”, kushtuar vëllezërve Granit dhe Taulant Xhaka.

Nëpërmjet dy figurave  të Taulant e Granit Xhakës, autoria ka përshkruar vlerat e këtij sporti si dhe përkushtimin e futbollistëve të së ardhmes për të ndjekur hapat e tyre në futboll.

Këshilltari i ministrit te MKRS-së për Sport, Daut Thaçi, përgëzoi autoren për librin e saj, teksa tha se do të mbështesin edhe më tutje aktivitete të tilla.

Sporti kosovar po shihet se është një ndër ambasadorët më të mirë në arenën ndërkombëtare, e ndër ta edhe vëllezërit Xhaka, të cilët i përgëzoj për të arriturat e tyre në arenën ndërkombëtare. Ne e dimë historinë e këtyre dy të rinjve, të cilët kanë migruar në Zvicër, të cilët edhe pse përfaqësojnë një shtet tjetër, zemra u rreh për flamurin tonë“, tha Thaçi.

Ramadan Avdiu, konsull i përgjithshëm në Gjenevë, tha se libri i promovuar sot është një dhuratë e mirë për lexuesin, teksa uroi autoren që të vazhdojë të shkruajë edhe më tutje. Ai poashtu tha se bashkatdhetarët janë shumë të lidhur me atdheun.

Kryesuesja e Kuvendit të Komunës së Ferizajt, Kristina Gashi- Bytyqi u shpreh se është më rendësi të promovohen libra të tillë, që i bëjnë krenar shqiptarët kudo që janë.

Kurse vet autorja e librit, Hava Kurti-Kransiqi shprehu falënderimet e saj për Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit për mbështetjen që i kanë dhënë për botimin e librit të saj.

Ajo tha se synimi i librit është të paraqes modele.

Ky libri im për fëmijë është një shenjë shumë e vogël, por do të nxisë punë të mëdha“, u shpreh autorja./21Media