"Nëpër vargjet e këtij libri duket se autori na tërheq në një odiseadë përplot të panjohura dhe ..."

“Nëpër vargjet e këtij libri duket se autori na tërheq në një odiseadë përplot të panjohura dhe …”

Promovohet libri me poezi “Sfinksi pyet sërish”, i autorit Ismail Syla, që nëpërmjet vargjeve barten dëshmitë e kohërave dhe të unit poetik e që shkojnë kah bota e qytetëruar.

Shkrimtari Ismail Syla, duke falënderuar të pranishmit, lexoi dy epe nga libri i ri i botuar me poezi.

“Ndoshta pamjet e pardjeshme të Tiranës, por edhe këto që i kemi ne këtu, tregojnë se ne shpeshherë, jo Serbia, por ne parajsën tonë dimë ta djegim vet. Unë rrjedh nga fshati Kishnarekë dhe babi im, Dauti si dhe mixha i tij, Musliu, kanë qenë mullinxhinj. Për të përpjekur për ta treguar dhe zbërthyer tipin e poetikës time, unë jam biri i mullinxhisë. ‘Mulliri me dy gurë’, situata politike në Shqipëri dhe në Kosovë, është një ç’akordancë e tmerrshme dhe në lëvizje, në një kaos të jashtëzakonshëm. ‘Mulliri që ka dy gurë, njëri ngjitun në pyka, i mbush drithë e miell thasët me dy gryka’. Kaq përfundon, epi”, theksoi Syla.

Ndërsa, studiuesi i librit, Behar Gjoka, tha se “Sfinksi pyet sërish”, libri më i ri me poezi i Ismail Sylës, tashmë shtegton në hapësira të reja ligjërimi.

Gjoka tha se poezia është gjurma, nxitësi kryesor I mënyrës së ekzistencës së poetit dhe poezia mendimi, tenton ta zgjerojë  hapësirën e komunikimit tashmë në një botë të qytetëruar.

“Ismail Syla, për mua ka ardhur fillimisht në punimet e Bajram Kosumit, ku e veçon grupin e të ndëshkuarve, që burgun e shndërruan në dritë, me poezitë e tyre… Më ka rastis të lexoj librin ‘Atdheu im i ngrysur’, ‘Qeni i priftit nuk kafshon’  dhe librin që kemi nëpër duar ‘Sfinksi pyet sërish’.  Pra, ka një situatë të ndërtimit të një sistemi poetik vetanak. Duket se është një situatë të përsëritur në tre librat. Është tematika që i jep një frymëmarrje të sendërtimit të poezisë”, theksoi Gjoka.

Profesori Hajdin Abazi tha se “Sfinksi pyet sërish”, fund e krye është një poetikë që duket si një epistomologji e panjohur, gërsheton pa e humbur asnjë rast brumin poetik, filozofinë, traditën, aktualitetin, mendimin logjikën dhe perceptimin.

 “Struktura e kësaj vepre realizohet përmes katër kapitujsh: Dilemat  e Sfinksit, Heqja e dushkut të fjalës, pandryshueshmëri dhe Thesi i shpuar i lumturisë…(3;35) Nëpër vargjet e këtij libri duket se autori na tërheq në një odiseadë përplot të panjohura dhe befasi, kurthe mendore e sfida intelektuale”, theksoi Abazi.

Në këtë promovim i pranishëm ishte edhe Namik Dokle, i cili me një fjalë rasti përshëndeti të pranishmit.