Promovohet libri i Enver Dugollit

Promovohet libri i Enver Dugollit

Në kuadër të 20-vjetorit të masakrës së Dubravës, sot është promovuar libri i kujtimeve “Qarku i (pa) mbyllur burgjesh”, i autorit Enver Dugolli. Libri përmban kujtime nga kohë të vështira burgjesh në Dubravë.

Ish i burgosuri politik, Hydajet Hyseni tha se kësaj pranvere, Enveri solli Librin e pranverës së përgjakur të vitit 1999 në Dubravë, ngase Enveri ishte dëshmitar i gjallë dhe tipik. Ky libër i kujtimeve, sipas tij, është një monument i veçantë kushtuar qindra të rinjve të rënë në burgun e Dubravës. Hyseni foli edhe për vuajtjet e veprimtarit Ukshin Hoti dhe të tjerëve.

Shkrimtari Adem Gashi tha se libri “Qarku i (pa) mbyllur burgjesh” i kujton vitin 1981 kur ishte i burgosur politik në burgun e Dubravës. Ai vlerësoi lart librin, siç tha, të ish-nxënësit të tij, Enver Dugolli.

Redaktori i librit, Elvis Hoxha tha se në këtë libër sheh një përpjekje që autori e thotë dëshminë, që ka munguar deri tash.

“Fjala dëshmi është shumë e fortë dhe shumë e ftohtë. Pra, është libër i parë dëshmi”, tha Hoxha, duke e quajtur tragjedi burgun e Dubravës.

Autori i librit, Enver Dugolli nuk deshi të flasë për librin, por me buzë në vajë iu falënderua nënës së tij, e cila ishte e pranishme në promovim.