Pronarët e kioskave lusin Ahmetin të mos i lë pa punë

Kërkohet ulja e kritereve

Pronarët e kioskave në Prishtinë mëngjesin e sotëm i kanë zënë derën kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmeti.

Rreth një orë ata kanë protestuar për të kundërshtuar ankandin e Komunës për kioskat e reja në kryeqytet. Sipas tyre, kriteret e organeve komunale janë diskriminuese dhe papërballueshme për bizneset e vogla.

Protestuesit kërkuan nga asambleja komunale që të votojnë që shfrytëzuesve aktual t’iu vazhdohet e drejta e shfrytëzimit të kioskave.

Përfaqësuesi i protestuesve, Sadudin Ahmeti adresoi akuza ndaj organeve komunale, sipas tij ka manipulime dhe këtë e dëshmon se njëri prej drejtorëve të kryetarit Shpend Ahmeti është bashkëortak me njërin prej rrjetit të dyqaneve të mëdha.

Këta i kanë qitë disa kritere janë të papërballueshme, 5 milionë euro për tre vitet e fundit në qarkullim dhe në minimum rrjet të marketeve prej pesë dyqaneve në Komunën e Prishtinës. Kryetari aktual as nuk na ka pranuar në takim tek dera e kam takuar këtu më ka thënë nesër- pasnesër e kot… ato i përballojnë vetëm dostat e tyre. Njëri prej drejtorëve, drejtori i caktuar që është për dhënien e kioskave që na ka shkruar se kush dëshiron me aplikuar është ortak me njërin prej atyre të rrjetit të marketeve aty…Të merren parasysh kërkesat tona, ne jemi në gjendje me paguar taksën aktuale, me vet financim për vendosjen e kioskave të reja ashtu sipas planit që e kemi marrë. Vetëm kush me qenë pronar aty kemi kundërshtime”, tha Ahmeti.

Ndërkaq, njëra prej pronareve të deri tanishme të një kioske në Bregun e Diellit, Fitore Qerimi u shpreh se gjendja e tyre financiare është e rëndë dhe se me mbylljen e kioskës do të mbesin pa punë.

Ne prej kësaj varemi që sa vite, prej vitit 2008 e kemi që na ka lëshuar Isa Mustafa. E kisha lutur Shpendin që me na lëshuar prapë përsëri sepse mbesim pa punë ne. Unë sidomos mbes pa punë”, tha ajo.

Pikërisht për këtë çështje ditë më parë dhe partia opozitare, Lëvizja Vetëvendosje përmes një konference për media adresoi kritika për ankandin e komunës së Prishtinës për kioskat.

Back to top button