Një tjetër strategji kundër duhanit

Një tjetër strategji kundër duhanit

Vendosja e mbishkrimeve në çdo cigare lidhur me efektet negative të duhanit do të ndikonte që më shumë njerëz të hiqnin dorë nga duhanpirja. Kështu po besojnë disa studiues australian në Universitetin “James Cook ” në Townsville.

Sipas tyre, kjo metodë do të kishte më shumë efekt sesa imazhet grafike në pako.

Paralajmërimet përfshijnë “minuta të humbura të jetës” nga çdo cigare e tymosur.

Profesori Aaron Drovandi tha se është i bindur se kjo mund t’i inkurajojë njerëzit të lënë duhanin.

Duhanpirësit duan të mendojnë se i dinë të gjitha pasojat e pirjes së duhanit … jo të gjithë i dinë të gjitha çështjet sepse ende ka çështje që janë zbuluar. Shumica e duhanpirësve në fakt pendohen për faktin se pinë duhan“, tha profesori, përcjell rtv21.tv

Drovandi e bëri një hulumtim me më shumë se dy mijë duhanpirës dhe njerëz që nuk e pinë duhanin lidhur me atë se sa ndikojnë mbishkrimet e tanishme për lënien e duhanit.

Ai zbuloi se ndonëse shumë australianë kanë hequr dorë nga duhanpirja, strategjitë e tanishme, përfshirë paketimet pa mbishkrime reklamash, janë më pak efektive për duhanpirësit.

Shumica e duhanpirësve nuk janë më të ndjeshëm ndaj mbishkrimeve paralajmëruese. Shumica e duhanpirësve deklaruan se një strategji e tillë nuk ka pasur efekt te ta.

Nëse e shikoni një pamje të tmerrshme për herë të parë, ajo ka efekt, por më vonë nuk e ka efektin e njëjtë kur e sheh shumë herë”, tha Drovandi.

Bazuar në këtë hulumtim, efekt më të madh te duhanpirësit do të kishin mbishkrimet në secilën cigare lidhur me minutat e humbur të jetës për secilën cigare të tymosur, efektin në familje dhe çmimin e tyre.

Megjithatë, edhe teknikat aktuale kundër duhanit kanë pasur efekt.

Sipas një sondazhi të vitit 2016, siç shkruan “The Guardian”, 12.8 për qind e popullsisë australiane pi duhan, shifër gati dyfish më e vogël se në vitin 1995./21Media