Protesta për sigurimet e automjeteve, organizatorët takojnë guvernatorin e BQK-së

Kundërshtohet ngrija e çmimit për sigurimine automjeteve

Para Bankës Qendrore të Kosovës me dhjetëra qytetarë po protestojnë për të kundërshtuar vendimin e BQK-së për shtrenjtimin e sigurimeve të automjeteve për 26%. Me pankarta në duar, para kësaj banke, ata po bëjnë thirrje për shfuqizim të këtij vendimi sepse sipas tyre në këtë mënyrë ata do të dëmtohen. Udhëheqës të kësaj proteste tani kanë hyrë në takim me guvernatorin e BQK-së.

Agan Hajdarhoxha nga grupi i “Meraklive të kerreve”, tha se po kërkojnë që të kthehet çmimi i mëparshëm. “Ne nuk po kërkojmë që të lirohet sigurimi, ne po kërkojmë që të kthehet vendimi i vjetër siç ka qenë. Kërkoj nga ky institucion që të marrë sa më shumë masa që ta kthejë vendimin e vjetër. Për t’u regjistruar një veturë standarde duhen minimumi 300 euro. Rroga mesatare nuk e kalon shumën 230 euro. Imagjinojini si do e kaloj muajin një qytetar”, tha ai.

Hajdarhoxha tha se kjo protestë është paqësorë dhe në rast se nuk do të ketë shfuqizim të këtij vendimi, do të dalin në protesta të tjera.

BQK-ja dje në një konferencë për media e arsyetoi këtë vendim duke theksuar se nuk ka shkelje ligjore. “Bazuar në të dhëna zyrtare të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), shihet shumë qartë se nga vitit 2002, e deri në fund të muajit shtator të këtij viti, shuma e dëmeve të kompensuara kalon shifrën mbi 400 milionë euro, shifër kjo më e lartë krahasuar me vendet e rajonit”, ishte arsyeja e BQK-së.  Sipas tyre, të gjitha kompanitë e sigurimit të cilat kanë operuar në Kosovë nga viti 2002 kanë pësuar humbje më shumë se 23. 5 milionë euro, që i bie për çdo vit nga 1.3 milion.

Nga ana tjetër, Shoqata e Sigurimeve të Kosovës ka kërkuar që kompanitë e sigurimeve të trajtohen dhe vlerësohen si aset dhe faktor i rëndësishëm i zhvillimit ekonomik dhe i stabilitetit financiar të vendit, pasi pronarët real të kompanive të sigurimit janë qytetarë te Kosovës. Sipas shoqatës, kompanitë e sigurimit janë në gjendje të rëndë financiare, pasi që ka rritje ekstreme të aksidenteve me lëndime të rënda, por edhe aksidenteve më lëndime të lehta.

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut e kundërshton rritjen e taksës për sigurim të automjeteve nga kompanitë e sigurimeve dhe përgjegjës kryesor për këtë e bën Bankën Qendrore e cila, sipas KLMDNj-së në vend ta luaj rolin e rregullatorit të këtyre kompanive po bëhet pjesë e zhvatjes aktive të buxhetit të qytetarëve të Kosovës.

Ndryshe, ky vendim ka hyrë në fuqi më 15 të këtij muaji. /21Media

Back to top button