Kërkohet urgjentisht reagim adekuat nga Gjykata Themelore në Rahovec

Kërkohet urgjentisht reagim adekuat nga Gjykata Themelore në Rahovec

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) organizon sot protestë paqësore për të kërkuar drejtësi për Antigona Morinën.

Protesta pritet të fillojë në orën 10:00 para objektit të Gjykatës në Rahovec.

“Përmes kësaj proteste kërkohet urgjentisht reagim adekuat nga Gjykata Themelore në Rahovec për rastin e të ndjerës Antigona Morina dhe dënim meritor për shkaktarin e vdekjes së saj, Hilmi Zenën. I njëjti ishte shpallur i pafajshëm nga po kjo gjykatë, ndërsa ankesa e bërë nga Prokuroria pas atij vendimi ishte zhdukur nga zyrtarët në Gjykatën Themelore në Rahovec”, thuhet në njoftimin e RrGK-së.

Andaj, RrGK kërkon nga drejtësia kosovare llogaridhënie dhe seriozitet në trajtimin e këtij rasti por edhe rasteve tjera të ngjashme, në përputhshmëri me Kodin Penal të Kosovës.

E ndjera kishte vdekur 6 vite më parë për shkak të hemorragjisë së vazhdueshme, tri ditë pas martesës. Atëkohë bashkëshorti i saj, Hilmi Zena, përpos që nuk i kishte ofruar ndihmë mjekësore, ka përkeqësuar gjendjen e saj duke vazhduar marrëdhëniet seksuale me të./21Media